Hoxhaj: Dragashin do ta shpallim zonë ekologjike dhe do të sjellim investime në turizmin malor

E publikuar: 02/02/2021 21:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati i për kryeministër nga PDK-ja, Enver Hoxhaj, sot ka prezantuar Planin e Rimëkëmbjes në Dragash.

Hoxhaj ka thënë se prioritet i PDK-së është zhvillimi i ekonomisë, shëndetësisë, arsimit, shtetit ligjor dhe politikës së jashtme.

“Këto pesë prioritete mund t’i përmbyllë vetëm Partia Demokratike e Kosovës dhe asnjë parti tjetër. Për këtë arsye ne në këto zgjedhje garojmë me program të qartë. Garojmë me vizion të qartë. Garojmë me prioritete të qarta dhe e dimë shumë mirë se çka do të bëjmë javën e parë, javën e dytë, 100 ditëshin e parë, vitin e parë, të dytë, të tretë dhe të katërt”.

Ai ka ftuar qytetarët e Dragashit që ta mbështesin Partinë Demokratike të Kosovës në këto zgjedhje duke thënë se me të kryeministër do të përfitojë edhe kjo komunë.

Hoxhaj ka deklaruar se nëse do të jetë kryeministër, një ndër vendimet e para që do të marrë është shpallja e Dragashit zonë ekologjike.

Sipas tij, qëllim kryesor i PDK-së është që Dragashin ta kthejnë në bosht kryesor të zhvillimit të turizmit dhe bujqësisë.

“Kjo komunë do të jetë zona e parë ekologjike e shpallur në Kosovë dhe ky do të jetë vendimi i parë që do ta marr unë si Kryeministër i Kosovës. Nën dy, do ta kemi një zonë të përbashkët turistike me Shqipërinë. Nën tre, kam angazhuar një ekip të ekspertëve gjermanë të cilët janë duke bërë një projekt i cili do të sjellë investitorë gjermanë, austriakë, zviceranë, prej Emirateve, prej Katarit dhe nga kudo që ka buxhet për ta shndërruar këtë pjesë të Kosovës në qendrën më të madhe të turizmit dimëror, veror dhe malor”.

Kandidati i PDK-së për kryeministër ka thënë se tashmë ka biseduar edhe me përfaqësues të lartë të shteteve të Lindjes së Mesme dhe të shteteve të Bashkimit Evropian që kanë treguar interesim për investime multimilionëshe në turizmin malor dhe dimëror.