Hoxhaj: Deklaratat e Albright i bëjnë nder Kosovës dhe të ardhmes së saj

E publikuar: 08/12/2020 22:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i PDK’së, Enver Hoxhaj, i ka vlerësuar lart deklaratat e dhëna nga ish-sekretarja e SHBA’së, Madeleine Albright, të dhëna sot përgjatë fjalimit të saj në Komitetin e Punëve të Jashtme të Dhomës Përfaqësuese, duke thënë se i bëjnë nder Kosovës.

Hoxhaj këto komente i ka bërë në llogarinë e tij në ‘Facebook’, teksa ka shtuar se fjalimi i saj ka përçuar një mesazh për botën, e në veçanti për Serbinë.
Tutje, Hoxhaj ka thënë se Kosova duhet të jetë me fat që ka pasur në krah SHBA’në dhe Albright.

Postimi i plotë:

Ish sekretarja e SHBA-ve, një ndër gratë më të guximshme dhe politikanet më të dashura për ne, Madeleine Albright, edhe sot, sikur gjatë gjithë jetës së saj, i doli në mbështetje Republikës së Kosovës dhe të drejtës historike.

Në fjalimin e saj në Komitetin e Punëve të Jashtme Dhomës Përfaqësuese, duke folur për politikat për Ballkanin, Albright përsëriti faktin që Serbia ka kryer krime në Kosovë dhe Bosnje.

Ndërkaq, duke e njohur Kosovën si shtet me të gjitha kapacitetet e saj, ajo dërgoi një mesazh të qartë për botën demokratike në përgjithësi, dhe Serbinë në veçanti.

Deklarata e saj sot se Kosova duhet të jetë një vend normal si pjesë e sistemit ndërkombëtar dhe në asnjë formë subjekt i vetos nga Beogradi, i bën nder edhe një herë Kosovës dhe të ardhmes së saj.

Kosova, populli i Kosovës, është me fat që gjithmonë në anën e saj ka pasur sekretaren Albright dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si ruajtës të paqes dhe të drejtës në botë 🇽🇰 🇺🇸

Faleminderit mikja jonë e çmuar!