Hoxha: Të rinjtë tanë të konkurrueshëm edhe në tregun global

E publikuar: 09/09/2019 16:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja në detyrë e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ka vizituar Qendrën e Kompetencës në Ferizaj, qendër kjo e cila brenda saj përmban profile të ndryshme të aftësimit profesional.

Dhurata Hoxha u shpreh se të rinjtë e Kosovës duhet ta shohin të ardhmen e tyre në vendin e tyre, ndër të tjera ajo tha se kjo qendër duhet ta ketë të hapur rrugën që të vazhdojë me drejtime të tjera inovative.

“Uroj që gjithë këta studentë që i keni të gjejnë punë në Kosovë dhe të qëndrojnë në Kosovë sidomos me këto profesione që i kanë të bëhen të pavarur ekonomikisht. Ju duhet ta keni rrugën hapur që të vazhdoni edhe me drejtime të tjera inovative. Të rinjtë duhet që ta shohin të ardhmen e tyre në Kosovë”, u shpreh Hoxha.

Gjatë kësaj vizite, ajo tha se Ministria e Integrimeve Evropiane, një nga prioritetet kryesore e ka koordinimin e donacioneve dhe donatorëve, si dhe përshtatjen e kurrikulave me nevojat e tregut.

“Koordinimi i donatorëve për ne është një përgjegjësi shumë e lartë dhe e madhe. Edhe me Mbretërinë e Luksemburgut në vitin e kaluar kemi nënshkruar marrëveshjen e programit të vazhdimit të këtyre donacione dhe njëra nga prioritetet ka qenë edhe aftësimi profesional. Ne kemi insistua që aftësimi profesional dhe nevoja për me i përshtat tregut, me iu përgjigj me kurrikula dhe aftësim profesional. Ne duhet të jemi të konkurrueshëm jo vetëm me vendin tonë por edhe me tregun global”, tha Hoxha.

Ndërsa drejtori i Qendrës së Kompetencës në Ferizaj, Bashkim Hyseni, tha se presin një bashkëpunim me odat profesionale në Kosovë, duke kërkuar edhe nga institucionet përgjegjëse që të krijojnë programe për t’ia bërë edhe më të lehtë punën këtyre nxënësve.

Qendra e Kompetencës ka filluar me 8 profile tani më jemi me 6-të, thekoi Hyseni, dhe shtoi se pret bashkëpunim me Odat Profesionale të Shëndetësisë respektivisht me Odën e Mjekëve të Kosovës, raporton EO.

“Presim nga institucionet qendrore që ta bëjnë atë pjesën e vetë, po ashtu në lehtësimin e punës sonë duke filluar nga Ministria e Arsimit. Ne pa sektorin privat dhe pa pjesëmarrjen e tyre direke nuk mund të funksionojmë. Nganjëherë kemi kontestime nganjëherë për profile të ndryshme. Ne do prodhojmë për tregun evropian”, tha Hyseni.

Qendra e Kompetencës në Ferizaj, është ndërtuar dhe pajisur me kontributin e Qeverisë të Dukatës të Madhe të Luksemburgut, ndërsa gjenerata e parë e kësaj shkolle, ka qenë ajo e vitit 2013-2014.