Hoxha me ministrin francez Nuñez, u pajtuan për bashkëpunim në fushën e sigurisë

E publikuar: 10/04/2019 13:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka takuar ministrin e Shtetit, Laurent Nuñez, në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Francës, me të cilin ka diskutuar për të arriturat dhe reformat e ndërmarra në fushën e sundimit të ligjit me theks në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, migrimit ilegal, si dhe sfidave tjera të përbashkëta në fushën e sigurisë, në kuadër të integrimit në BE.

Në takim me ministrin Nuñez, Ministrja ceku përkushtimin dhe përpjekjet e vazhdueshme për reforma, duke shprehur gatishmëri për thellimin e bashkëpunimit bilateral me Francën në fushën e sigurisë.

“Kosova është vendi i vetëm në Evropë me kufizim për lëvizjen e lirë, kjo nuk është në pajtim me vlerat e BE-së. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë bashkëpunim të plotë për çfarëdo shqetësimi rreth liberalizimit të vizave. Marrëdhëniet tona të shkëlqyera do të vazhdojnë të jenë të tilla me Francën, partner të rëndësishëm strategjik për të avancuar paqen, sigurinë, dhe vlerat evropiane, në veçanti lirinë, demokracinë, të drejtat e njeriut, rendin dhe ligjin”, potencoi Ministrja Hoxha.

Në fokus të këtij bashkëpunimi janë fusha e sigurisë, e në veçanti lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe migrimi ilegal.

Në takim, Ministrja theksoi se e kuptojmë situatën brenda BE-së në prag të zgjedhjeve të PE-së, mirëpo presim që pas këtyre zgjedhjeve të lëvizet përpara me çështjen e liberalizimit të vizave.

Ministri Laurent Nuñez, potencoi gatishmërinë e Francës të vijoj përkrahjen për Kosovën në proceset integruese,  duke u pajtuar për të hyrë në marrëveshje bilaterale në fusha të interesit të përbashkët dhe iu përgjigj pozitivisht ftesës së Ministres Hoxha për ta vizituar Kosovën së shpejti./Infosot/