Hoxha kërkon mbështetjen e Ministrisë së Brendshme gjermane për liberalizimin e vizave

E publikuar: 05/07/2018 20:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sot, Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë, u prit në takim nga Stephan Mayer, Sekretar i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Gjermanisë.

Ministrja Hoxha e njoftoi Sekretarin e shtetit për reformat e ndërmarra dhe kushtet e plotësuara për liberalizimin e vizave.

Ministrja theksoi se kushtet janë përmbushur dhe qytetarët e Kosovës presin që BE-ja të njohë të arriturat dhe të mundesojë lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë.

Tutje, Ministrja Hoxha e njoftoi Sekretarin për reformat e ndërmarra në fushën e migracionit, me theks të veçantë në reformat legjislative të cilat fuqizojnë kontrollin e kufinjve dhe politikat ndaj të huajve dhe azilit.

Kosova nuk paraqet rrezik sa i përket migracionit ilegal, theksoi Ministrja Hoxha, sepse kemi gjithë infrastrukturën e duhur ligjore dhe institucionale. Në këtë kontekst, Ministrja Hoxha kërkoi mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë për liberalizimin e vizave për Kosovën duke qenë se MPB është pjesë e procesit të vendimmarrjes.

Sekretari i Shtetit, përgëzoi Ministren Hoxha për reformat e ndërmarra dhe e siguroi se Gjermania vazhdon të përkrah Kosovën në procesin integrues siç e ka përkrahur edhe në procese të tjera.