Hoxha: Kemi tejkaluar planin e zbatimit të MSA-së, do të kemi dinamika edhe më të mëdha

E publikuar: 22/02/2019 12:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

 Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, mbajti konferencë për media, me ç’rast i njohu me zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), lajmin e mirë për tejkalimin e planit të zbatimit të MSA-së.

“Programi Kombëtar për Zbatimin e MSA-së për vitin 2018 ka tejkaluar planet. Sipas Marrëveshjes tonë me BE-në, për Mbështetje Buxhetore për Reformën e Administratës Publike, ka qenë e paraparë që zbatimi për vitin 2018 të jetë së paku 60%, ndërkohë që plani është tejkaluar në 68.23%”, potencoi Ministrja Hoxha, ndërsa ka shtuar planet e dakorduara me BE-në për zbatim, në vitin 2019 duhet të jetë 70%, ndërsa për vitin 2020 të jetë 80%.

Fondet e BE-së për Kosovën vetëm sa janë rritur, si vijon: IPA 2017 ka ndarë 73 milion euro, IPA 2018 ka ndarë 90.5 milion euro, kurse IPA 2019 – 2020 afërsisht 200 milion euro.

Niveli i zbatimit të ERA-s (Agjendës për Reforma Evropiane) për vitin 2018 është 74.07%, ceku Ministrja, duke shtuar se Qeveria e Republikës së Kosovës do të bëjë të pamundurën që këto plane të tejkalohen gjatë vitit 2019 dhe viteve që pasojnë.

Ministrja Hoxha e falënderoi BE-në për ndihmën e vazhdueshme që po jep në zbatimin e PKZMSA-së, Agjendës për Reforma Evropiane (ERA), Programit për Reforma Ekonomike, Reformën e Administratës Publike, Menaxhimin e Financave Publike, Fuqizimin e Sundimit të Ligjit dhe shumë fusha tjera të me rëndësi jetike për të ardhmen e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, Ministrja i njohu mediat për raundin e 21-të i aplikacioneve në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor, vlera e projekteve infrastrukturore tejkalon shumën prej 250 milion euro.

Në fund, gazetarët u interesuan dhe parashtruan pyetje rreth liberalizimit të vizave, fqinjësisë dhe dialogut si dhe proceset integruese, pyetje të cilave Ministrja Hoxha u dha përgjigje./Infosot/