Hoti: Do t’i konfiskojmë pasuritë e paligjshme dhe do t’ia kthejmë popullit

E publikuar: 03/06/2017 15:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë të shtunën në Mitrovicë se koalicioni të cilit ai i prin, në Qeveri do ta pavarësojë sistemin e drejtësisë, do ta nxjerrë ligjin për konfiskimin e pasurive të paligjshme dhe ajo do t’u kthehet qytetarëve.

Ai ka shtuar se ky është koalicioni i vetëm që do ta sigurojë integrimin e Kosovës në BE dhe NATO, koalicioni i vetëm që mund ta ruajë miqësinë e përhershme me SHBA-të, siç e ka thënë gjithmonë Presidenti Rugova.

“Programi ynë është i jashtëzakonshëm dhe i siguron Kosovës 3 miliardë euro buxhet gjatë mandatit tonë, rritje ekonomike dyfish më të madhe, pagë minimale dinjitoze, pensione dinjitoze, arsim cilësor dhe shëndetësi cilësore. Do të ketë mbështetje të madhe për bujqit, fermerët dhe të gjithë ata që kanë ide biznesi”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se do të punojmë shumë që tavolinat tona të kemi më shumë prodhime vendore.

“Ne garantojmë 12 muaj pushim për lehonat, për gratë e papuna 50 për qind e pagës minimale për t’i rritur fëmijët”, ka thënë ai.

“Do t’u japim momentum të ri bisedimeve me Serbinë. Do të punojmë shumë me pakicat, në veçanti me serbët. Do të punojmë në thellimin e marrëdhënieve vëllazërore me Shqipërinë, në përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me të gjithë, por asnjëherë nuk do të hezitojmë në zbatimin e reciprocitetit me të gjithë, në veçanti me Serbinë”, ka shtuar Hoti.

Kryeministri dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se kandidati për kryeministër Avdullah Hoti është një evropian i vërtetë.

“E keni pa që ata që nuk e kanë asnjë argument kundër kryeministrit tonë, sepse nuk mund të thonë që nuk është i shkolluar, nuk është i aftë, nuk është familjar, nuk është besnik, nuk është i vyeshëm dhe i vendosur. Prandaj flasin për karizëm. Po, karizëm nuk është të marrësh poza në foltore. Karizma do të thotë të ushtrosh ndikim dhe ndikimi nuk ushtrohet ndryshe, përveç me dije. Ndikimi jonë do të shtrohet përmes kryeministrit Hoti dhe vlerave të tij, që janë profesionale dhe shkencore”, ka thënë Mustafa.

Kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri ka thënë se po e ndjen aromën e fitores. “Kjo aromë është në Mitrovicë dhe ky mesazh nga këtu do të përhapet në tërë Kosovën. Jemi bashkuar për të bërë ndryshimin e madh, sepse kjo gjendje e Kosovës nuk e bën të ndihet mirë asnjë shqiptar. O sot o kurrë, duhet ta luftojmë të keqen. Koalicioni ynë është i shpresës, i paqes, i dijes, i punës. SHBA dhe BE me padurim po presim të fitojë ky koalicion dhe t’i themi poshtë korrupsionit, poshtë zhvatjes, poshtë shantazhimeve”, ka thënë Bahtiri.

Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli ka thënë se kemi një program që krijon jetë më të mirë për fëmijët, qytetarët, vendin në përgjithësi.

“Deklaroj publikisht se me të gjitha limitet e mia do ta mbështes profesor Hotin, i bindur se do të jetë Qeveria më e mirë që e ka pasur Kosova. Ndihem shumë mirë në këtë koalicion dhe këtu kam takuar njerëz të ditur, të sinqertë, me traditë në krijim të shtetit. Nuk kemi kohë të bëjmë eksperimente, sepse jemi shumë vonë. Jemi në prag të kthesës së madhe që do ta bëjmë”, ka thënë Pacolli.