Hoti: Të jemi unik dhe të kërkojmë reagim nga bota për deklaratat e Beogradit

E publikuar: 10/04/2019 19:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar pas deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili e mohoi masakrën e Reçakut.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë ditës së sotme deklaroi se masakra e Reçakut ishte thjeshtë një fabrikim i ish-ambasadorit të OSBE-së, William Walker, shkruan lajmi.net.

Pas kësaj deklarate ka reaguar shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Hoti ka pyetur se si mund të negociohet me dikë që e quan fabrikim masakrën e Reçakut.

Duke i parë këto deklarata, Hoti ka kërkuar nga spektri politik që të bëhen unik dhe të kërkojnë reagim të fuqishëm nga e gjithë bota kundër këtyre deklarimeve të Beogradit zyrtar.

Postimi i plotë i Hotit pa ndërhyrje:

Si mund të negociohet me dikë që e quan fabrikim masakrën e Reçakut?! Kështu ka deklaruar sot presidenti serb. Kjo është sikur të mohohet holokausti.

Duhet të jemi unik dhe të kërkojmë reagim të fuqishëm nga e gjithë bota demokratike kundër këtyre deklarimeve të Beogradit.

Është e qartë se do të na duhen vite dhe ndërrim të disa qeverive në Beograd para se atje politikanët t’i thërrasin ndërgjegjes për krimet e bëra në Kosovë nga shteti serb.

Vetëm atëherë Serbia mund të bëjë hapin e madh për njohjen e shtetit të Kosovës dhe normalizim të marrëdhënieve.

Deri atëherë ne nuk duhet të hyjmë në asnjë aventurë për të arritur ndonjë marrëveshje gjysmake. /