Hoti takoi koordinatoren e UNDP-së, Ulrika Richardson

E publikuar: 11/06/2020 18:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti priti sot koordinatoren e UNDP-së, udhëheqëse e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson.

Kryeministri Hoti, duke e vlerësuar rëndësinë e mbështetjes së UNDP-së, sidomos gjatë kësaj periudhe, e siguroi znj. Richardson se Qeveria e Kosovës do të bashkëpunojë ngushtë me UNDP-në dhe mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë në Kosovë, me qëllim të realizimit të programeve zhvillimore, të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve. Ai, me këtë rast, tha se krahas menaxhimit të pandemisë COVID-19, Qeveria e Kosovës e ka përcaktuar si prioritet edhe rimëkëmbjen ekonomike të vendit.

Ndërsa, Ulrika Richardson, pasi e uroi kryeministrin Hoti për marrjen e detyrës së re, pohoi se misioni që ajo udhëheq, do të vazhdojë t’i ofrojë edhe më tej përkrahje Kosovës, nëpërmjet programeve të shumta zhvillimore në kuadër të UNDP-së.