Hoti përshëndet qëndrimin e Gjermanisë për kushtëzimin e Serbisë drejt BE-së

E publikuar: 13/12/2018 14:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i Grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka përshëndetur qëndrimin e Gjermanisë që po e kushtëzon progresin e Serbisë drejt Bashkimit Evropian.

Ai ka thënë se mendësia gjeopolitike e Serbisë duhet të ndryshojë rrënjësisht përpara se asaj t’i hapet rruga drejt BE-së.

“Përshëndesim qëndrimin e Gjermanisë, që po e kushtëzon progresin e Serbisë drejt BE-së. Mendësia gjeopolitike e Serbisë duhet të ndryshojë rrënjësisht përpara se asaj t’i hapet rruga drejt BE-së. Orientimi momental i Serbisë nuk është në përputhje me objektivat për integrim euro-atlantik që ka Ballkani”, ka shkruar Hoti në Facebook, përcjell lajmi.net.

Sipas tij, për paqen dhe sigurinë evropiane, kjo qasje e Gjermanisë duhet të bëhet politikë zyrtare e BE-së.

“Kushtëzimi i Serbisë drejt BE-së duhet gjithashtu të lidhet me ndërtimin e raporteve normale me fqinjët e saj dhe, mbi të gjitha, me ndalimin e menjëhershme të agresivitetit të saj kundër shtetit dhe popullit të Kosovës. Për paqen dhe sigurinë evropiane, kjo qasje e Gjermanisë duhet të bëhet politikë zyrtare e BE-së”, ka shkruar ai.

Hoti po ashtu ka thënë se “BE-ja duhet t’i ndihmojë popullit serb, sepse pa dyshim që ka nevojë për ndihmë për tu shkëputur nga e kaluara dhe nga orientimi i gabuar gjeopolitik. Kjo është me interes për paqen afatgjate në Ballkan”.