Hoti për sulmin në Prizren: Sulmet ndaj heronjve të kohës janë të turpshme dhe të pa pranueshme

E publikuar: 20/12/2020 12:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar pas ngjarjes së mbrëmshme në Urgjencën e Spitalit të Prizrenit, ku familjarët kanë sulmuar fizikisht infermierët në detyrë, duke thënë se ky është gjest i shëmtuar ndaj atyre që punojnë për të mbrojtur shëndetin dhe jetën e qytetarëve, përfshirë edhe të atyre që i kanë sulmuar.

Hoti ka shkruar në Faceboook se mjekët, infermierët dhe tërë personeli mjekësor e mbështetës, gjatë këtyre muajve sa po përballemi me pandeminë Covid-19, kanë dëshmuar përkushtim të lartë që duhet vlerësuar, e jo sulmuar.

“Sulmet ndaj heronjve të kohës janë të turpshme dhe të pa pranueshme. E dënoj këtë sulm dhe çdo sjellje të pa dinjitetshme, e cila rrezikon integritetin fizik të personelit mjekësor. I ftoj organet e rendit që të vihen në mbrojtje të mantelbardhëve, ndërsa organet e drejtësisë që ta kryejnë detyrën e tyre shpejt”, ka shkruar ai.