Hoti: Nuk kemi asgjë më të çmueshme se nxënësit

E publikuar: 27/10/2019 16:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rexhep Hoti, Koordinator Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, vizitoi nxënësit fitues të garave republikane të cilët mbajtën kampin kreativ një javor.

Koordinatori Hoti fillimisht u takua me mësimdhënësit që po shoqëruan nxënësit, të cilët i falënderoi për angazhimin e tyre si gjatë procesit të garave, ashtu edhe për kujdesin ndaj nxënësve gjatë kampit.

Nga ana e tyre, mësimdhënësit thanë se garat e tilla në nivelin shtetëror kanë qenë shumë të nevojshme për sistemin arsimor dhe për nxënësit. Po ashtu, ata treguan përvojën e tyre në kampin kreativ me ç’rast thanë se është një organizim shumë i veçantë për nxënësit.

Në fjalimin e tij drejtuar nxënësve fitues republikan, Koordinatori Hoti tha se ndihet i nderuar duke qenë në mesin mendjeve të ardhshme të kombit.

“Ju së bashku me mësimdhënësit, duke e ndërtuar si duhet mësimin mbi njohjen, kreativitetin, lëvizjen realisht e keni bërë gjënë më të mirë për veten tuaj. Ne si shtet, si qeveri, nuk kemi asgjë më të çmueshme se ju sepse duke investuar në ju, kemi investuar në zhvillim ekonomik, në sundim të ligjit, në të drejta të njeriut, në shkencë e kudo tjetër. Ju tashmë jeni në fazën kur do të merrni shumë nga jeta, kudo që shkoni. Edhe ky kamp do t’ju përcjellë kudo që shkoni dhe unë ju garantoj se sa më shumë që në jetë të keni gjëra të tilla do të jenë terapitë më të bukura që do të ju mbesin në mendje e zemër. Mësohuni që në zemrat tuaja t’i mbani gjërat e bukura e jo ato të ligat. Mësohuni në jetë që dijen dhe vlerat tuaja t’i ndani me të tjerët dhe kështu do të arrini shumë edhe ju edhe Kosova”, tha Koordinatori Hoti.

Për më shumë, mbi 400 nxënës fitues të garave republikane të klasave VI-XIII ishin pjesë e kampit kreativ nga 29 komuna të Kosovës si shpërblim.

Nën organizimin e Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport tashmë janë duke u zhvilluar Gara Nacionale në Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik si dhe Gara Nacionale në në Sport ku të gjithë nxënësit nga klasa e I-rë deri në të XII-tën kanë mundësi të marrin pjesë.