Hoti nesër s’bëhet kryeministër

E publikuar: 01/05/2020 23:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Avdullah Hoti nuk do të bëhet kryeministër i Kosovës të shtunën.

Pak më shumë se 24 orë pasi Hoti e mori dekretin e presidentit Thaçi, Gjykata Kushtetuese e pezulloi atë.

Me shumicë votash, gjykata më e lartë në vend vendosi masë të përkohshme dhe pezulloi dekretin deri më 29 maj.

“Gjykata, në mbështetje të nenit 116.2 të Kushtetutës, të nenit 27 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe të rregullit 57 të Rregullores së punës, më 1 maj 2020, me shumicë votash, vendosi TË MIRATOJË masën e përkohshme në kohëzgjatje deri më 29 maj 2020 nga data e nxjerrjes së këtij Vendimi”, thuhet në pikën e parë, raporton KOHA

E në të dytën pezullohet menjëherë zbatimi i Dekretit të Presidentit pikërisht deri më 29 maj.

I menjëhershëm qe reagimi i presidentit Hashim Thaçi, i cili tha se do ta respektojë vendimin e Kushtetueses.

“Si President i Republikës së Kosovës do ta respektoj në plotëni këtë vendim. Kosova ka tashmë një përvojë të çmueshme në respektimin e të gjitha vendimeve dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë presidenti.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, vlerësoi se vendimi për masë të përkohshme është në interes të publikut, porse tha se është e rëndësishme të mos ketë entuziazëm, meqë nuk është vendimi përfundimtar.

“Kështu, është tejet e rëndësishme që të mos entuziazmohemi, të rrimë të fokusuar në drejtim të qëllimit tonë për menaxhimin sa më të mirë të situatës me pandeminë COVID-19”, thuhet në një komunikatë të qeverisë.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se do ta respektojë në tërësi vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, kjo parti ka thënë se është e vendosur në përputhshmëri të plotë me normën kushtetuese të krijojë qeverinë e re.

“LDK-ja dhe partnerët dje kanë dorëzuar kërkesën për seancë të jashtëzakonshme, të mbështetur nga 61 deputetë, seancë e cila do të mbahet pas vendimit final të Gjykatës Kushtetuese, meqë LDK-ja është e bindur se procesi i mandatimit të z. Avdullah Hoti është bërë konform normës kushtetuese dhe kompetencave kushtetuese që ka Presidenti i Kosovës.”, thuhet në reagimin e partisë së Mustafës.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se vlerëson lart trajtimin që i ka bërë Kushtetuesja kësaj lënde.

“E vlerësoj lart faktin që Gjykata Kushtetuese ka vendosur ta trajtojë këtë çështje, megjithëse ditë feste, në mënyrë që të mbrohet integriteti institucional në rrethanat e krijuara”, ka shkruar nënkryetarja e LDK-së.

Vendimi për dekretimin e Hotit erdhi pasi presidenti Thaçi më 22 prill, konstatoi se Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, nuk e kishte shfrytëzuar mundësinë kushtetuese për propozimin e mandatarit, andaj këtë të drejtë ia kaloi LDK-së, si partia e dytë me më së shumti vota në zgjedhjet e fundit.

Për zgjedhjen e qeverisë së re, duhen 61 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.