Hoti në Tiranë, diskutohen projekte “ambicioze”

E publikuar: 08/07/2020 19:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka vizituar të enjten Shqipërinë, ku u prit me ceremoni shtetërore në Pallatin e Brigadave nga homologu i tij në Tiranë, Edi Rama.

Në konferencën e përbashkët për media, kryeministrat e dy shteteve thanë se gjatë takimit të tyre folën për institucionet e vendeve, raportet me Bashkimin Evropian, dialogun e Kosovës me Serbinë dhe vendosën theks të veçantë në disa marrëveshje të mundshme mes dy vendeve.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri i Shqipërisë tha se kishte diskutuar me homologun e tij, Hoti, për disa marrëveshje mes dy vendeve, konkretisht për Doganën e Kosovës në Durrës.

Sipas kryeministrit të Shqipërisë, Hoti ka kërkuar që marrëveshja të implementohet duke mundësuar një stacion të vetëm në Durrës, ku hyrja e mallrave për në Kosovë nga pikëpamja juridike duhet të trajtohet si hyrje në Kosovë, në momentin kur mallrat zbarkohen në Durrës.

Pas Ramës, fjalën e mori Hoti, i cili u shpreh se Kosova ka maturi institucionale për t’i bërë ballë çdo situate.

Ai theksoi se me kryeministrin Rama pajtuan për disa projekte, që ai i quajti ambicioze, dhe që kanë të bëjnë me Doganën e Kosovës në Durrës, ndërtimin e një HEC-i dhe ndërtimin e një hekurudhe që lidh të dy vendet.

“Me kryeministrin Rama u dakorduam për 3 projekte ambicioze. Një ndër pikat që u dakordësuam ishte çështja e Doganës së Kosovës në Durrës. Diskutuam ndërtimin e një HEC-i në Shqipëri për të furnizuar me energji Kosovën. Diskutuam edhe për projektin ambicioz për hekurudhën që lidh Tiranën dhe Prishtinën”, tha Hoti.

Në anën tjetër, Rama theksoi se i kishte folur kryeministrit Hoti edhe për idenë e tij për “mini-Schengenin” ballkanik, nismë që sipas tij “hapë përfundimisht mundësinë për heqjen e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës”.

“Schengeni rajonal mbetet në këndvështrimin tim një program ku shqiptarët duhet të shohin bashkërisht interesin e tyre strategjik, besoj që është e qartë. Në rast se ne futemi bashkërisht në schengenin rajonal, askush nuk na pengon që në kohë të shpejtë të hapim kufirin për lëvizjen e lirë të njerëzve pa asnjë kontroll”, u shpreh Rama.

Nisma për mini-Shengenin ballkanik është nxitur nga Shqipëria dhe Serbia. Ajo aktualisht është përkrahur nga Shkupi zyrtar ndërsa Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina kanë treguar gatishmëri, por edhe skepticizëm për përfshirjen e tyre.

Kosova, në anën tjetër, ka refuzuar të bëhet pjesë e kësaj iniciative me argumentin kryesor se Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e saj.

Kryeministri Hoti nuk foli rreth nismës për mini-Shengenin, ndërsa kur u pyet rreth dialogut me Serbinë, ai theksoi se “dialogu nuk ka alternativë” dhe se roli i BE-së dhe SHBA-së është “komplementar”.

Kryeministri Edi Rama, ndër tjerash e ka cilësuar turp për Bashkimin Evropian faktin se Kosova ka mbetur pa liberalizim të vizave dhe që mbetet shteti i vetëm në rajon që nuk lëvizë lirshëm në vendet e zonës schengen.

Rama e cilësoi situatën aktuale të Kosovës “peng të kalkulimeve politikave të brendshme të Evropës”.

“Turp i Bashkimit Evropian që mban peng një popull dhe ende e ndalon të lëvizë lirisht si gjithë të tjerët pasi si shtet i ka plotësuar të gjitha detyrimet. E dimë shumë mirë arsyen se përse, arsyeja nuk gjendet në Kosovë, nuk gjendet në ndonjë paaftësi të saj për përmbushjen e detyrimeve, ato janë përmbushur, arsyeja është në Evropë, në politikën e brendshme, në vendet e ndryshme që gjithmonë e më shumë kur marrin vendime për ne nisen nga kalkulimet për qëndrueshmërinë elektorale të forcave politike që qeverisin. Ky nuk është as një sekret dhe as një turp në vetëvete, por turpi është se sot Kosova nuk lëvizë e lirë jo për faj të saj, por të refuzimit që i bëhet nga BE-ja”, tha Rama.

Vizita e kryeministrit të Kosovës në Shqipëri, pason vizitën dyditore të kryeministrit të Shqipërisë në Kosovë.

Më pas Hoti, pritet të zhvillojë takime edhe me presidentin Ilir Meta, kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi, kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.