Hoti: Në Kosovë s’do të ketë më gjakderdhje, problemet do të zgjidhen me mjete politike

E publikuar: 05/04/2020 17:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se në Kosovë nuk do të ketë asnjë gjakderdhje tjetër.

Sipas tij, “këto ditë është përmendur shpesh fjala ‘gjakderdhje’ nga disa politikanë, aq shumë saqë është bërë term i përdorur edhe në diskutime të problemeve financiare dhe ekonomike”.

Ai ka thënë se të gjitha çështjet e Kosovës do të zgjidhen me mjete politike.

“Për fat të mirë, populli i Kosovës e ka kaluar kohën e gjakderdhjes. Nuk do të ketë asnjë gjakderdhje tjetër. Të gjitha çështjet e pazgjidhura në politikën e brendshme dhe të jashtme, sado të vështira të jenë, do të zgjidhen me mjete politike, demokratike e kushtetuese. Këtë e sigurojmë ne, dhe ndjehemi besimplotë në këtë lloj qasje të zgjidhjes së çështjeve të hapura politike, sepse kështu na sigurojnë miqtë tanë euroatlantik”, ka shkruar ai.

Sipas tij, ka ende politikanë në Kosovë që në projektet e tyre të garës politike zë vend termi “gjakderdhje”.

Por, për fat të keq ende mbijetojnë politikanë në Kosovës që në projektet e tyre të garës politike zë vend termi “gjakderdhje” në kuadër të përpjekjeve për arritje të qëllimeve të tyre politike.

Sot gjatë ditës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se ka politikanë e zyrtarë të lartë edhe në Prishtinë, që duan konflikt në Kosovë e sidomos në veri të Ibrit.

“Ata duan të provojnë tensione sepse duan incidente. Projekti i tyre i shkëmbimit territorial sikur të realizohej do të shkaktonte konflikte e gjakderdhje të reja. Ai projekt dështoi. Tash duan konflikte e gjakderdhje në terren për t’u rikthyer te shkëmbimi territorial, përkatësisht te ndarja e Kosovës. Krejt njëjtë është edhe ajo intenca për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme me çdo kusht e çmim. Pasi që nuk arritën ta shpallin për ta bërë, duan ta bëjnë që ta shpallin”, ka thënë Kurti.