Hoti: Mbështetja e Thaçit është qëndrim personal i Lutfi Hazirit, jo i LDK’së

E publikuar: 06/07/2018 12:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Avdullah Hoti, ka thënë se qëndrimi i nënkryetarit të partisë, Lutfi Haziri, pro Presidentit Thaçi kryenegociator me Serbinë nuk e përfaqëson qëndimin e LDK’së. Edhe pse Haziri u deklarua në një emision televiziv se LDK pajtohet që Thaçi ta drejtojë dialogun, Hoti thotë se ky mund të jetë vetëm qëndrim personal i Hazirit, transmeton Express.
Hoti në konferencën e së premtes të LDK’së ka thënë se kjo parti është kundër përfaqësimit nga Presidenti Hashim Thaçi në dialogun që zhvillohet në Bruksel.

“Nuk mendoj se Haziri ka thënë ashtu. Por, nëse po, atëherë nuk do të përfaqësonte qëndrimin e LDK-së, por do të ishte vetëm një deklaratë e një anëtari të LDK-së”, ka thënë Hoti.

Mbrëmë nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri ka thënë se kjo parti mbështet presidentin Hashim Thaçi që të udhëheq dialogun me Serbinë.

Haziri tha se nuk dëshirojnë që të krijohet precedent i refuzimit të përfaqësimit nga institucionet.