Hoti: Integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i panegociueshëm

E publikuar: 24/07/2020 14:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, deklaroi se marrëveshja finale me Serbinë do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Kreu i shtetit derisa ka folur në Kuvend për bisedimet me Serbinë, tha se nuk do të ketë dialog teknik, ku u shpreh se të gjitha takimet në ditët në vijim do të jenë vetëm për draftimin e marrëveshjes finale për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të dy vendeve

Hoti tha se edhe parimet mbi të cilat do të qëndrojë marrëveshja me Serbinë mbështetet në Kushtetutën e vendit, e para deputetëve ai prezantoj këto parime.

“E para, që integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i panegociueshëm dhe për pasojë i pa cenueshëm nga çfarëdo përpjekje që mund të burojnë nga çfarëdo faktorësh në procesin e dialogut. Tërësia e territorit të Kosovës paraqet premisën kryesore mbi të cilën është themeluar dhe qëndron Republika e Kosovës, çdo cenim i asaj tërësie është goditje e drejtpërdrejtë në qenësinë e Kosovës që është e papranueshme. Parimi i dytë, organizimi kushtetues i Republikës së Kosovës nuk mund të preket, pasi si i tillë ai garanton funksionimin demokratik të pushteteve, garanton në përfaqësim, si dhe mbron parimin e shtetit qytetar e jo atij etnik. Prekja në organizimin unitar të Republikës së Kosovës do të ishte rruga më e shkurtër për ta defunksionalizuar shtetin e Kosovës dhe shpallur atë të paqëndrueshëm dhe kjo nuk do të ndodh. E treta, marrëveshja me Serbinë do të jetë në përputhje me Kushtetutën, sepse Kushtetua është instrumenti i vetëm që i jep legalitet një marrëveshje të tillë”, tha ai.

Hoti ka informuar deputetët për takimin e 16 korrikut me Serbinë që është mbajtur në Bruksel, ku tha se ka filluar draftimi i marrëveshjes përfundimtare me dy temat e para.

Hoti: ka filluar draftimi i marrëveshjes përfundimtare me dy temat e para

“Me 16 korrik është mbajtur takimi në Bruksel, ku ka filluar draftimi i marrëveshjes përfundimtare me dy temat e para, personat e pagjetur dhe çështjet ekonomike. Tema e parë, pra personat e pagjetur për Qeverinë e Kosovës është obligim shtetëror dhe moral ndaj familjeve të tyre. Andaj si e tillë është trajtuar duke filluar me parime dhe kërkesa të qarta për këtë temë që janë, që në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar humanitar të zgjidhet çështja e personave të zhdukur përfshirë zbulimin e informacionit dhe ofrimin e të gjitha burimeve të nevojshme njerëzore dhe teknike për zgjidhjen e kësaj çështje. E dyta, sjellja e drejtësisë në vend dhe e treta, kërkesa për kujdesin e nevojshëm për familjet e viktimave sipas standardeve ndërkombëtare”, tha ai.

Hoti tha se kanë kërkuar shpalosjen e informacionit të plotë nga arkivat e ish-Jugosllavisë, nga Ministria e Punëve të brendshme të atëhershme, nga strukturat e mbrojtjes territoriale të atëhershme, nga trupat paramilitare dhe vullnetare që kanë vepruar në Kosovë, si dhe shpalosje të informacionit të plotë në lidhje me dyshimin e shpërndarjes së trupave në shkritore dhe furra në Kosovë dhe në Serbi.

Për temën e dytë, për çështjet ekonomike, Hoti tha se janë përfshirë kompensimet e dëmeve të luftës, borxhi shtetëror, pensionet, kursimet në banka, pagat e humbura të punëtorëve të larguar nga puna, dëmtimet e pronës private.

Hoti: Nuk ka dhe nuk do të ketë dialog teknik

“Për Qeverinë e Kosovës dhe për mua si kryeministër nuk ka dhe nuk do të ketë dialog teknik. Të gjitha takimet në ditët në vijim do të jenë vetëm për draftimin e marrëveshjes finale, për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të dy vendeve. Unë do t’iu mbaj të informuar gjatë gjithë kohës për zhvillimet në këtë proces dhe se do të jem llogaridhënës karshi jush. Por, unë nuk do të rri duarkryq dhe as nuk do të qahem para juve u ankuar për teori konspirative me harta e thika apo me komplote për ndarje territoriale”, tha ai.

Hoti tha se e ka emëruar koordinatorin në përputhje me platformën për dialogun. Ai tha se Skënder Hyseni ka përvojë të madhe në diplomaci dhe se i beson atij dhe ai i përgjigjet atij. Kryeministri tha se Skënder Hyseni e përfaqëson atë në dialog dhe punon sipas udhëzimeve të tij.