Hoti: Ideja antikushtetuese e Thaçit për korrigjimin e kufijve ka dëmtuar shtetësinë e Kosovës

E publikuar: 24/10/2018 13:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se do të duhej kohë të kthehej besimi i qytetarëve se nuk do të ketë ndarje të Kosovës.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, e ka cilësuar si antikushtetuese idenë e presidentit Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve me Serbinë, shkruan lajmi.net.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Hoti ka thënë se, Thaçi me idenë e tij ka dëmtuar shtetësinë e Kosovës.

Sipas tij, me këtë ide do të duhej kohë që të binden qytetarët se nuk do të ketë ndarje të Kosovës dhe se e ardhmja e tyre është e sigurt në Kosovë, përcjell lajmi.net.

Postimi i plotë i Hotit pa ndërhyrje:

Insistimi antikushtetues i Presidentit aktual për korrigjimin e kufirit i ka dëmtuar përpjekjet tona për dy dekada për të ndërtuar një shtet ku qytetarët e të gjitha komuniteteve ndihen të sigurt për të ardhmen e tyre.

Ky angazhim i Presidentit ka shtuar hezitimin ndaj institucioneve të Republikë së Kosovës nga ana e disa komuniteteve.

Do të na duhet shumë kohë dhe energji për ta kthyer besimin e të gjithë qytetarëve të Kosovës se nuk ka ndryshim të kufirit, nuk ka ndarje të Kosovës, dhe se ardhmja e tyre është e sigurt në Kosovë.