Hoti: Gjilani ka një pasuri të çmuar të trashëgimisë kulturore

E publikuar: 06/08/2015 21:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti, ka qëndruar sot për një vizitë në Gjilan, ku është takuar me kryetarin e kësaj komune, Lutfi Haziri si dhe ka vizituar disa objekte të trashëgimisë kulturore.

Hoti dhe Haziri kanë bashkëbiseduar për jetën dhe organizimin kulturor në këtë komunë, sikundër që kanë folur edhe për investimet e MKRS-së, mbrojtjen dhe restaurimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe promovimin e tyre.

Zëvendësministri Hoti tha se Gjilani së bashku me Prizrenin kanë një qytetari dhe kulturë të veçantë që kulmon me shumë vlera të trashëgimisë kulturore e historike të gërshetuara në diversitetin kulturor.

Kurse i pari i Gjilanit, ka thënë se është kënaqësi që zyrtarë të lartë të qeverisë, konkretisht zëvendësministri Hoti viziton Gjilanin. Haziri ka treguar disa nga problemet kulturore të komunës që e udhëheq duke kërkuar ndihmë nga MKRS-ja.

Hoti së bashku me kryetarin Haziri pas takimit, vizituan objektet e trashëgimisë kulturore në Gjilan, të cilat janë nën përkujdesjen e MKRS-së, siç është Muzeu i Qytetit dhe Shkolla e Muzikës.

Ata vizituan edhe Atik Xhaminë, ku Haziri deklaroi se gjatë vitit të ardhshëm është propozuar që të bëhet renovimi dhe mirëmbajtja e saj, sepse xhami e këtillë ndodhet vetëm në Ohër, që si ndërtim korrespondon me vlera fetare dhe kombëtare. Për renovimin e xhamisë foli edhe zëvendësministri Hoti duke shprehur edhe njëherë rëndësinë që ka objekti i Atik Xhamisë.

Ndërsa, anëtari i këshillit të Bashkësisë Islame, Naim Aliu, ka falënderuar zëvendësministrin Hoti për vizitën në Xhaminë Atik dhe për përkrahjen e vazhdueshme të MKRS-së.