Hoti flet për punësimet partiake: Të ndalojmë këta plaçkitës të shtetit

E publikuar: 18/03/2019 14:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti është deklaruar se punësimet mbi baza politike e familjare në PTK nuk janë rast i izoluar, raporton Gazeta Express.

Sipas Hotit, me publikimin e listët së punësimeve të 60 personave në kompaninë “Pastrimi” që lidhet me AAK’në tashmë librezat partiake janë bërë diplomë për punësim në institucione shtetërore dhe ndërmarrje publike.

“Kjo qasje e koalicionit PAN i shkel të drejtat e 154 mijë personave të papunë, të ri e të reja, burra e gra, të diplomuar në fakultete e zanatlinj”, ka shkruar Hoti në profilin e tij në Facebook.

Tutje, ai ka komentuar edhe përgjigjen e kryeministrit Ramush Haradianaj në këtë temë.

“Përgjigja e Kryeministrit Haradinaj, se mund të ketë pasur ndikim indirekt në këto punësime, është skandaloze. Ambasadorët e SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë kanë reaguar ashpër javën që shkoi”, ka shkruar Hoti duke ju referuar një deklarate të një dite më parë të kryeministrit.

“Ka ardhur koha për reagim qytetar demokratik për të ndaluar këta plaçkitës të shtetit. Çdo i papunë që vendos të reagojë në mënyrë demokratike ndaj këtyre plaçkitësve do të ketë mbështetjen time”, ka përfunduar ai.