Hoti: Duhet të ketë angazhim në luftën kundër koronavirusit dhe menaxhimin e situatës

E publikuar: 16/12/2020 16:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti pas një takimi sot me kryetarë të Odave ekonomike në vend, theksoi se janë dakorduar që të punojnë së bashku për draft hartimin e një pakoje të re për rimëkëmbje ekonomike.

Ai në një konferencë për media tha se deri të premten do të përmbyllet konsultat për masat e reja kundër COVID-19.

“Pika kryesore ka të bëjë me masat antiCOVID, ndërkohë që numri i rasteve të reja është në rënie të lehtë dhe situata është nën kontroll. Megjithatë situata nuk përmirësohet me pandeminë, ndaj duhet angazhim për luftën ndaj këtij virusi dhe menaxhimin e situatës. Brenga kryesore e komunitetit është që të rishikohet orari i funksionimit të këtyre bizneseve”, tha Hoti.

Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) Berat Rukiqi tha se në këtë takim kishte konsensus që të ketë konsulta për çdo vendim që do të merret për masat antiCOVID, duke paralajmëruar se çdo mbyllje eventuale totale do të ishte një bllokadë për bizneset.

Ai ka thënë se nga data 23 dhe 24 dhjetor, paratë e Trustit në vlerë dhjetë për qind do të mund të shpërndahen te qytetarët, duke rekomanduar që këto mjete të shpenzohen në vend./I.Shabani/