Hope Solo akuzon ish-kreun e FIFA-s Blatter për ngacmim seksual

E publikuar: 11/11/2017 21:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Hope Solo, portierja e ekipit kombëtar të futbollit për femra, thotë se ish-presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter e kishte sulmuar seksualisht në vitin 2013, në një ceremoni çmimesh.

Blatter i mohoi të shtunën akuzat sipas së cilave ai e kishte prekur në pjesën e poshtme të shpinës, duke i quajtur ato “absurde”.

Duke folur me gazetën portugeze “Expresso” të premten, 36 vjeçarja Solo tha se presidenti i atëhershëm i FIFA-s, e kishte prekur në mënyrë të papërshtatshme, sapo ajo po bëhej gati të prezantonte një çmim për lojtaren e ekipit të saj, në ceremoninë “Ballon d’Or”.

Solo, fituese në Kampionatin Botëror dhe dy herë kampione olimpike tha se ngacmimi seksual nga zyrtarët meshkuj ishte një problem i zakonshëm në botën e futbollit profesional të femrave.

“Unë e kam parë një gjë të tillë gjatë gjithë karrierës dhe do të doja që më shumë sportistë të flasin për përvojat e tyre”, tha ajo në Lisbonë ku po merrte pjesë në një konferencë për internetin.

“Situata ka dalë jashtë kontrollit, jo vetëm në Hollivud por kudo”, tha ajo.

Solo u pezullua nga ekipi kombëtar vitin e kaluar, pasi shau lojtarët e ekipit kombëtar suedez pasi ata po përdornin një teknikë mbrojtëse që u dha atyre fitoren.

81 vjeçari Blatter ishte president i FIFA-s nga viti 1998 në 2015, kur u shkarkua për korrupsion.