Holtby ndjek shembullin e Buffonit dhe Del Pieros, zgjat kontratën me Hamburgun me pagë më të vogël për të luajtur në Bundesliga 2

E publikuar: 24/05/2018 18:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Hamburgu është njëri nga skuadrat më të mëdha dhe më me traditë në Gjermani.

Klubi gjerman nuk kishte rënë kurrë nga elita e futbollit, por këtë edicion ata dështuan dhe ranë në Bundesliga 2.

Pritjet në Gjermani janë të mëdha pasi të gjithë besojnë se Hamburgu do të rikthehet në elitë vetëm pas një viti.

Por ajo që ka bërë bujë të madhe gjatë ditës së sotme në Gjermani ka qenë nënshkrimi i Lewis Holtbyt me Hamburgun.

Kontrata e Holtbyt me Hamburgun skadonte në verën e vitit 2019, por ish-reprezentuesi gjerman e ka vazhduar atë edhe për tri vite të tjera.

Madje Holtby ka pranuar të luaj në Bundesliga 2 duke ndjekur shembullin e yjeve të Juventusit si Buffon, Trezeguet, Del Piero e Nedved.

Përveç kësaj gjermani ka pranuar edhe ulje të pagës nga 3,5 milionë sa kishte vitin në dy milionë euro.

“Për mua ka qenë e qartë se dua të qëndrojë në Hamburg edhe më tej”.

“Kam kaluar emocione të mëdha me këtë klub dhe do ta bëjë këtë edhe në të ardhmen. Vendosa të qëndrojë pasi dua ta ndihmojë klubin për tu rikthyer në elitë”, ka thënë Holtby.

Holtby është pjesë e Hamburgut nga viti 2014 kur iu bashkua nga Tottenham Hotspur për shumën e 6,5 milionë eurove.

27-vjeçari gjatë karrierës së tij në Gjermani ka luajtur edhe për Schalke 04, Mainz 05, Alemania Aachen dhe Bochum.

Gjesti i tij për të mbetur pjesë e Hamburgut ka gëzuar tifozët e kësaj skuadre por Holtbyn e kanë përshëndetur edhe tifozët e skuadrave tjera për besnikërinë që tregoi ndaj klubit. /Telegrafi/