Holanda refuzon teknologjinë 5G të Huawei

E publikuar: 26/04/2019 12:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Firma Holandeze e telekomunikacionit KPN tha ditën e Premte se do të zgjidhte një kompani Perëndimore për ndërtimin e rrjetit bazë 5G duke u bërë një prej operatorëve të parë Evropian që refuzon Huawei.

Shtetet e Bashkuara prej kohësh u bëjnë presion aleatëve të mos përdorin pajisjet e Huawei për shkak të shqetësimeve se mund të përgjohen nga autoritetet Kineze.

Huawei thotë se shqetësime të tilla janë të pabaza dhe politike. KPN është firma më e madhe e telekomunikacionit në Holandë dhe tha se do të përdorë pajisjet e Huawei vetëm në pjesët e rrjeteve që i konsideron më pak sensitive.

Holanda bëhet vendi i dytë Evropian që adopton një qasje të tillë pas Britanisë duke përjashtuar teknologjinë Kineze nga pjesët kyçe të rrjeteve.

Në dekadën e fundit Huawei ka qenë furnizuesi kryesor i KPN me teknologji rrjetesh por kompania argumenton se me ndryshimin e furnizuesit në favor të Nokia dhe Ericsson nuk do të rriten kostot.

Bërthama e rrjeteve 5G është edhe pika ku qarkullon informacion më sensitiv. Vetë KPN e përshkruan Huawei si lider global në teknologjinë radio dhe të antenave. /PCWorld Albanian