Historia e shtëpive-shkolla në Kosovën e kohës së Millosheviqit

E publikuar: 26/03/2016 22:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ndër goditjet e para që regjimi i Sllobodan Millosheviqit i dha shqiptarëve të Kosovës në vitet ‘90 ishte përpjekja për shkatërrimin e arsimit shqip, duke i dëbuar nga objektet e shkollave të mesme dhe universitare.

Shumë shqiptarë ndërmorën në atë kohe një akt të rrezikshëm; shndërruan shtëpitë në shkolla, të cilat më pas u bënë dhe objekt i sulmeve serbe. Familja Aliu ofroi pesë objekte banimi në shfrytëzim të shkollave ku u arsimuan nëntë gjenerata.

Kjo bëri që pas ndërhyrjes së NATO-s, familja Aliu të sulmohej fillimisht nga paramilitarët, të cilët hasën në rezistencë dhe si pasojë mbetën të vrarë së paku 8 prej tyre. Ndërsa vetë familja Aliu humbi një anëtar dhe një mik të familjes. Më pas shtëpitë u sulmuan edhe nga njësitë e rregullta serbe të cilat para se të largoheshin dogjën gjithçka brenda shtëpisë-shkollë.

Ahmet Aliu, pronar i një shtëpie-shkollë në Prishtinë, pas 24 vjetësh kujton me emocione të forta ditën e parë, kur në oborrin e familjes së tij erdhën nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”.

“Ka qenë një kënaqësi shumë e madhe. Nuk mund të përjetoj kënaqësi më të madhe se kur kanë ardhur nxënësit. Kurrë nuk kam patur një problem me ata nxënës, gjithmonë janë sjellë mirë. Edhe në ëndërr i shoh tani”, tregon ai i përlotur.

Xhevrie Mehmeti, ish-nxënëse e asaj kohe, thotë për Top Channel se të gjithë arsimin e mesëm dhe të lartë e ka kryer në shtëpi-shkolla, por që sipas saj, nuk do të mund të ishte më mirë.

Teksa pas 20 vjetësh ecën në rrugicat e lagjes periferike ku ishte shkolluar, ajo kujton momente të rëndësishme të jetës. “Kemi mësuar bashkë me shokun. Ai ka mësuar në këtë klasën këtu, ndërsa unë në këtë klasën këtu”, thotë Xhevrie Mehmeti.

Profesori Anton Berishaj, atë kohë zv.dekan i Fakultetit Filozofik, tregon se ishte vullneti i madh për punë ajo që e mbajti të gjallë arsimin në Kosovë.

“Diçka nuk ka munguar, entuziazmi. Entuziazmi ka qenë një forcë jashtëzakonisht e madhe e cila e ka mbajtur gjallë frymën e mësimit. Ne e ndjenim veten shumë mirë kur shkonim të mbanim mësim, edhe pse nuk kishim ku të uleshim”, tregon Berishaj.

Secili nga profesorët, studentët dhe nxënësit, një gjë e kishin të qartë, që përkundër presioneve dhe kushteve, arsimi në gjuhën shqipe duhej të vazhdonte, siç edhe ka ndodhur. “Me rëndësi ka qenë gjithnjë që ne absolutisht nuk guxonim të ndaleshim”, thotë më tej Berishaj.

Ish-nxënës që kanë studiuar në shkollën-shtëpi të familjes Aliu në Prishtinë kanë ndërmarrë një nismë për ta shndërruar atë në muze.