Historia e dhimbshme e vajzave të rrëmbyera nga Boko Harami

E publikuar: 21/11/2017 19:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas shumë vitesh konflikti me grupin kryengritës të Boko Haramit, si ia del të vazhdojë përpara një vend si Nigeria? Mariama Diallo tregon në një dokumentar të saporealizuar nga “Zëri i Amerikës” në bashkëpunim me Creative Associates International se si nisi konflikti dhe cilat janë pasojat e tij në jetën e nigerianëve. Pavarësisht të gjithave, njerëzit kanë jetët e tyre, një anë tjetër e medaljes që tregohet në këtë dokumentar. Bukky Shonibare është një aktiviste që lufton jo vetëm për kthimin në shtëpi të vajzave të rrëmbyera nga Boko Harami, por përmes nismës së saj “Shkolla në çantë”, ajo siguron mjete shkollore për fëmijët e varfër.

Kanë kaluar tre vjet qëkurse Boko Harami ka rrëmbyer vajzat e Chibok-ut dhe Bukky Shonibare është ende duke bërë fushatë për lirimin e tyre…

Ajo poston vazhdimisht foto në rrjetet sociale, në mënyrë që historitë e këtyre vajzave të mos harrohen e të shuhen nga kujtesa e njerëzve…

Edhe gjatë mbrëmjes, Bukky mendon për to.

“Meraku im më i madh është se çfarë jete i pret këto vajza kur më në fund të kthehen në shtëpi. Ato kanë parë prerje gjymtyrësh, vrasje. Kanë parë gjakun të rrjedhë lum… Kanë qenë dëshmitare të sulmeve me bomba nga ajri. Kanë parë njerëz të varrosen. Me to është abuzuar e disa prej tyre janë me fëmijë kur kthehen në shtëpi. Si mund t’ua heqësh nga mendja këto kujtime?”.

Teksa bën fushatë për lirimin e vajzave, Bukky lufton militantët e Boko Haramit në një tjetër front, më domethënës e simbolik.

Ajo drejton një projekt që quhet “Shkolla në çantë”, përmes të cilit shpërndan çanta shpine me materiale mësimore për fëmijët që nuk mund t’i sigurojnë ato vet, si dhe paketa me udhëzime për mësuesit.

“Mënyra më e mirë për të luftuar kundër atyre që rrëmbejnë fëmijët tanë është duke përdorur të tjerë fëmijë si shembulli, dëshmia dhe përfaqësimi i përsosur i një jete më të mirë, të cilën mund ta sigurojë vetëm një arsimim i mirë. Në këtë mënyrë i themi Boko Haramit se është i humbur e se fituesit e vërtetë jemi ne”.

14 prilli i 2017-ës shënon përvjetorin e tretë të rrëmbimeve në Chibok.

Si fillim, vetëm 21 vajza u lanë të lira, pastaj, 1120 ditë pasi u mbajtën të burgosura, u lanë të lira edhe 82 vajza të tjera.

Euforia elektrizoi sheshin Unity në Abuja, vendi ku zakonisht organizojnë protestat drejtuesit dhe pjestarët e fushatës “Na ktheni vajzat tona”.

Crowd: Na ktheni vajzat tona!

Bukky: Çfarë po kërkojmë?

Crowd: Na ktheni vajzat tona!

Bukky: Fakti që na kthyen 82 vajza i dha vlerë gjithçkaje që kemi bërë. Kështu, 106 nga 219 vajza që kemi pritur të kthehen për 3 vjet, 3 javë dhe 2 ditë janë kthyer më në fund dhe kjo është një arritje e madhe.

Sipas medias, këto lirime ishin në fakt pjesë e një shkëmbimi.

Në këmbim të tyre, qeveria nigeriane kishte liruar militantë të Boko Haramit.

Por për Bukky-n asnjë çmim nuk është kurrë shumë i lartë për lirinë e vajzave.

“Në këtë mënyrë, ato kanë një të ardhme. Vajzat kishin një jetë para se të rrëmbeheshin, shkonin në shkollë. Ato po kthehen sërish në jetë, në botën e qytetëruar; mund të marrin frymë sërish…”, thotë ajo.