Histori seksi në Tiranë/ ‘Shoqja më futi në shtëpi, unë u kënaqa me burrin e saj…’

E publikuar: 17/01/2017 12:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Unë që po ju shkruaj jam një vajzë 21 vjeçe, jam në një udhëkryq e nuk di cilën rrugë të zgjedh. E di se isha unë ajo që gabova, por besoj se në fund, pasi të lexoni këtë histori, do ta kuptoni se nuk ishte i gjithi faji im… Jam në vitin e tretë të shkollës së lartë.

Jam nga një vend i vogël i Shqipërisë dhe, kur më doli universiteti në Tiranë, u gëzova pa masë, por kur fillova vitin e parë, e pashë nuk ishte ashtu siç e mendoja. Tirana kishte një jetë mjaft aktive dhe për këtë, duheshin shumë para. Prindërit më siguronin qiranë e shtëpisë, por ne dilnim me shoqet e lekët nuk na mjaftonin. Në fakt, dy shoqet e mia të dhomës ishin pak më të pasura se unë, kështu që ato vendosën të mos rrinin në konvikt dhe të merrnin një shtëpi me qira. I kisha mike të mira dhe isha mësuar me to, prandaj edhe vendosa të shkoja e të jetoja me to edhe unë me qira. Prindërve nuk u erdhi mirë, sepse e dinin që do të shtoheshin shpenzimet, por nuk ma prishën. U thashë se do të gjeja një punë pasdite dhe kështu, do ta paguaja vetë qiranë. Kaloi viti i parë me sakrifica dhe, kur erdhi koha të shkoja në shtëpi me pushime, e kuptova se kishte qenë një vit i lodhshëm.

E dija se edhe vitet e tjera do të ishin të tilla, por ia vlente për shkollën. Vitin e dytë isha pak më me shans. Gjeta punë te një shoqe e mamit. Mami e kishte takuar në një trajnim kur ishte në Tiranë dhe, pasi kishin folur për mua, ajo i kishte kërkuar që të më punësonte. Ajo punonte në një vend pune shumë të mirë, por për momentin, nuk më rregullonte dot, kështu që më mori të kujdesesha për vajzën e vogël, pasditeve, kur punonte me orar të zgjatur dhe të shtunën e të dielën. Ishte një punë e bukur, që edhe pse më merrte një pjesë të madhe të kohës, nuk e kisha problem, sepse nuk ishte shumë e lodhshme dhe paguhesha mirë. Përveç kësaj, kisha edhe interes që të më gjente një punë, pasi të mbaroja shkollën. Deri këtu, ishim në rregull, por gjërat ndryshuan pas disa muajsh.

Ajo ishte një grua rreth 30 vjeçe, por ishte shumë e mbajtur dhe dukej më e re. Në fillim, nuk ishte edhe aq e afrueshme me mua, sepse sigurisht që, edhe pse ishte shoqe e mamit, duhet të sigurohej se mund të kishte besim tek unë. Pasi e pa se nuk i vinte ndonjë e keqe nga unë, u afrua aq shumë sa dhe më tregonte gjithçka. Kështu, ajo filloi të tregonte pakënaqësitë që kishte me të shoqin. Edhe pse ishte një femër e bukur, ata kishin kohë që ishin ftohur me njëri-tjetrin. Ai ishte dy vjet më i madh se ajo dhe ishte një mashkull i bukur. Më vinte keq dhe disa herë më shkonte ndërmend t’i thoja të ndahej sepse mund të kishte edhe ajo dikë që të kushtonte vëmendje ndaj saj, por tani që e mendoj, më mirë që nuk ia kam thënë sepse do të dukesha sikur doja t’i ndaja. Kisha disa muaj që punoja tek ata, kur asaj papritur i erdhi ftesa që kishte vite që e priste. Do të shkonte në një konferencë shumë të rëndësishme në Bruksel, që do t’i jepte një shtysë të madhe karrierës së saj.

– Të lutem, a mund ta mbash vajzën për një javë? Më duhet se s’bën të shkoj. Do ta merrja dhe vajzën, por nuk e di se a do të kem ku ta lë… – më tha ajo. – Ç’është ajo fjalë? – i thashë – Për mua është kënaqësi. Edhe unë jam pushim, kështu që jam e lirë pasdite. – Po deshe, rri te shtëpia ime, se je me e qetë ose tek e jotja, si të duash. – Jo, më mirë po rri tek e imja, po nuk e pate ti problem – i thashë. – Mirë, si të duash. Për çdo gjë, telefono burrin tim – tha ajo. Të nesërmen, shkova ta merrja vajzën në kopësht dhe pastaj kalova nga shtëpia të merrja disa rroba të saj. Aty gjeta të shoqin, i cili më bezdiste gjithmonë me shikimet e tij, ama vetëm kur ishim vetëm, sepse kur ishte e shoqja, nuk m’i hidhte sytë. Nejse, unë bëja sikur nuk kuptoja. – Pse nuk rri këtu? – tha ai. U ktheva njëherë dhe e pashë me habi. Ai e kuptoi dhe shtoi: – Se je më rehat, sepse unë do dal. – Kështu e kemi lënë me Dorën. Edhe ajo më tha të rrija, por nëse ka ndonjë gjë, unë do t’ju telefonoj. – Si të doni. – tha ai dhe më shkeli syrin. Si për inat, të pasnesërmen në darkë, vajza kishte temperaturë. Ishte vonë dhe kisha frikë ta çoja vetëm në spital. Shoqet nuk kishin makinë, kështu që i telefonova të atit. Ai erdhi menjëherë. Sapo hyri në shtëpi, njëra nga shoqet, më ra me bërryl dhe më tha: – Ëëëë, s’paske faj ti që i je përkushtuar kësaj familjeje!

Qenka si yll! E qortova me shikim dhe u nisëm për në spital. Atje i vunë një serum dhe më pas e sollëm në shtëpi. Të nesërmen, ajo ishte mirë, por unë nuk e çova në kopësht sepse kështu më kishte porositur i ati. Nga ora dhjetë, ra dera. Isha vetëm me vajzën. Shoqet kishin provim. E hapa. Ishte ai. – Erdha të shoh vajzën. Si është? – Më mirë. Unë ju thashë edhe në telefon, nuk keni pse të shqetësoheni. Megjithatë… – fjala u ndërpre kur vajza e pa dhe i thirri: – Babi! – Zemër! – tha ai dhe u fut brenda. Nuk më ngelej asgjë tjetër vetëm të mbyllja derën, sepse ai mori vajzën në krah dhe u fut në kuzhinë. – Faleminderit që kujdesesh kaq shumë për time bijë – tha ai. Ndenjëm dhe vajzën e kënaqur nga prania e të atit e loja që bënë bashkë, e zuri gjumi në krahët e tij. E çova në dhomë dhe, kur po bëhesha gati të dilja nga dhoma pashë te dera atë. – Është në gjumë – i thashë dhe bëra nga dera që edhe ai të dilte jashtë. Dolëm në korridor dhe aty u gjenda përballë tij. Ai ishte i gjatë, me një trup si aktor Hollivudi dhe afria me të, ma bëri trupin me mornica. Mora të shkoja nga kuzhina dhe më preku trupi trupin e tij. U ula në divan dhe ai, ashtu bëri. – T’ju bëj një kafe? – Mirë.

Pasi i bëra kafen, ai filloi të fliste. – Ti je një vajzë e veçantë… – Pse? – i thashë. – Po ja. Punon për të paguar qiranë dhe për shkollën. Mëson e je shumë punëtore. – Pse, të tjerat, si janë? – Ndryshe nga ti. Presin që çdo gjë t’ua bëjnë të tjerët, të marrin lekët nga prindërit, madje ka nga ato që zënë edhe të dashur që t’i mbajë me lekë. Prandaj më ka rënë në kokë për ty. – Si? Nuk ju vjen zor? Ju jeni i martuar me një femër të rrallë. – E pra, këtu qëndron e keqja. Njeriu nuk ka nevojë për femra të rralla, por për një femër si ti, që të kënaqet me të. E kështu filloi kjo punë.

Me këto fjalë e të tjera si këto, ai më bëri për vete dhe, pas një muaji nga dita që ju përshkrova më lart, ai më bëri të vetën. Herën e parë ndenjëm bashkë kur e shoqja kishte ikur në Vlorë për një trajnim. Ai erdhi herët në shtëpinë time, kur shoqet nuk ishin aty dhe përjetuam çaste të mrekullueshme. Nga ai çast, ne jemi të lidhur e dashuria jonë ka marrë krahë. Një vit qëndruam pa rënë në sy, mirëpo njëra nga shoqet e kuptoi kur më mori telefonin për t’i telefonuar së ëmës. Ajo pa mesazhin që ai më kishte dërguar. – Po bën një gabim të madh! – më tha. Ai është burri i shoqes së mamit. Pastaj, është edhe i martuar. – Po martesa e tyre nuk funksionon! – u shfajësova. – Nejse, ti e di vetë, por të them më mirë të ndalosh tani, pa u bërë e madhe. Nga këto fjalë reflektova dhe e ftova atë të dilnim për kafe. – Nuk është mirë të vazhdojmë më. Ti je i martuar dhe unë kam të tjera plane për jetën. – Ç’janë këto që thua? Unë nuk mund të rri asnjë çast pa ty. Ti dëgjon ato budallallëqet e shoqeve të tua. Ato janë xheloze që ne duhemi, prandaj të thonë se duhet të ndahemi. Me këto fjalë e të tjera si këto, ai më bindi përsëri…

Tani e dini historinë time. Se si do t’i vejë filli, nuk e di. Tani jam me pushime dhe sapo jam kthyer në shtëpi, por e di se këtë javë ai do të gjejë një pretekst e do të vijë të më takojë. Kam bërë një gabim nga i cili nuk e di si mund të shpëtoj. Si do të reagojnë prindërit e mi? Si do të reagojë ajo që më punësoi, më besoi e më futi në shtëpi, më besoi gjënë më të shtrenjtë në botë, të bijën? Nuk e di. Zoti më ndihmoftë!/
/syri.net/