Hetuesit: Raketa që rrëzoi MH17, u lansua nga Njësia ruse

E publikuar: 25/05/2018 18:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ekipi që ka hetuar rrëzimin e fluturimit MH17 ka arritur në përfundim se aeroplani u rrëzua nga arma e llojit Buk-TELAR, që kishte ardhur nga qyteti Kursk i Federatës Ruse.

Video e fundit e prezantuar nga hetuesit ndërkombëtarë, të udhëhequr nga ata holandezë, kanë sugjeruar se Rusia është fajtore për vdekjen e 298 pasagjerëve, të cilët u vranë kur aeroplani i “Malajzia Airlines” u rrëzua në lindje të Ukrainës në vitin 2014.

Gjurmët fillojnë nga një bazë ushtarake e Brigadës Antiajrore 53, e cila është e pajisur me raketa tokë-ajër të llojit Buk-TELAR.

Hetuesit paraqitën foto the video që janë postuar online për të treguar rrugën që një konvoj ushtarak u nis nga baza ushtarake më 23 qershor.

Mjete të mëdha transportuese e penguan trafikun duke bërë bujë të madhe. Kjo mund të shpjegojë pse ka kaq shumë foto në media sociale.

Hetuesit thonë se transportuesi, i cili bartte raketën dhe që dyshohet se rrëzoi aeroplanin, kishte shkronja dhe numra unikë.

Të njëjtat shenja, thonë hetuesit, ishin edhe në sistemin raketor që u filmua dhe fotografua në Ukrainë pak ditë para se aeroplani i fluturimit MH17, të rrëzohej.

Ekipi i Përbashkët Hetues thotë se të dhënat e Buk-TELAR që rrëzoi aeroplanin janë të njëjtat me të dhënat e Buk-TELAR të Brigadës 53.

MH17 u rrëzua në një pjesë të Ukrainës që kontrollohet nga separatistët e mbështetur nga Rusia, dhe hetuesit thonë se raketa është shkrepur nga ky rajon.

Rusia ka mohuar vazhdimisht se është e përfshirë në rrëzimin e aeroplanit, si dhe Kremlini ka dhënë disa ide tjera se çka mund të ketë ndodhur.

Putini ka fajësuar Ukrainën.

Përgjegjësinë e ka shteti, në territorin e të cilit ka ndodhur kjo tragjedi.

Gjatë një konferencë në Holandë, hetuesit u pyetën nëse ata kishin kërkuar informata nga Rusia, në mënyrë të veçantë për Brigadën e 53-të.

Kështu u përgjigj Kryeprokurori holandez, Fred Westerbeke:

Para disa javësh ne kemi kërkuar nga ta të na dërgojnë çdo informatë për Brigadën 53, si dhe Buk-TELAR. Ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Westerbeke thotë se hetuesit tashmë po kërkojnë përgjegjësit.

Mirëpo, shumë çështje mbesin të hapura.

Video përfundon me një thirrje nga shefi i Njësitit Antikrim, Wilbert Paulissen.

Kush ishte pjesë e ekipit? Çfarë instruksione kishin marrë? Kush ishte përgjegjës për vendosjen e Buk-TELAR në korrik të vitit 2014? Dhe, në fund, kush mund të na japë më shumë informata për procedurat dhe personat përgjegjës në këtë brigadë?

Pas katër vjetësh që kur MH17 u rrëzua, hetuesit thonë se puna e tyre tashmë ka hyrë në fazën finale.