Heronjtë e paqartësisë

E publikuar: 31/07/2015 20:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

David Brooks 

Jetojmë në një epokë empirike. Aktet më mbresëlënëse intelektuale janë arritur nga fizikantët dhe biologët dhe këto fusha kanë përforcuar një model të qartë besueshmërie. Të jesh një figurë autoritare, duhet të jesh i pranueshëm nga ana shkencore. Duhet të kesh një sërë përvojash teknike të fshehta. Duhet që mendja jote të jetë një instrument neutral i aftë për të përpunuar të dhëna komplekse të llogaritshme. Studiuesit e shkencave njerëzore janë përpjekur të gjejnë vend në këtë model autoriteti. Për shembull, Shoqata Amerikane e Psikiatërve ka botuar vëllimin e pestë të Manualit Statistikor Diagnostikues të Çrregullimeve Mendore. Është manuali bazë i kësaj fushe. Atje përkufizohen sëmundjet e njohura mendore.

Ky vëllim krijon standarde të qëndrueshme, që kompanitë e sigurimeve mund të përcaktojnë diagnoza të ndryshme dhe ta kenë mendjen e fjetur me mjekimet që jepen për t’i kuruar ato. Botimet e fundit të këtij manuali japin një atmosferë mbresëlënëse të autoritetit shkencor. I trajtojnë sëmundjet mendore si sëmundje zemre, apo mëlçie. Të krijojnë përshtypjen se duhet të shkosh te psikiatri, sepse ai zotëron një gamë të gjerë njohurish që do e lejojnë të zgjidhë problemet e tua. Me gjithë paanshmërinë e tyre të rreptë, ata lënë një përshtypje të dallueshme. Psikiatrit trajtojnë simptomat, jo njerëzit. Problemi është se shkencat e sjelljes si psikiatria nuk janë vërtet shkenca; por gjysmë-shkenca. Realiteti themelor që ato përshkruajnë nuk i nënshtrohet shumë rregullave si realiteti themelor, le të themi, i sistemit diellor. Ashtu siç kanë vënë në dukje kritikët e shumtë të manualit, psikiatrit përdorin terma si “çrregullim mendor” dhe “sjellje normale”, por nuk ka një pajtim mbi kuptimin e këtyre koncepteve. Kur shikon përkufizimet që përdorin zakonisht psikiatrit për të përkufizuar sëmundje të ndryshme, vëren që ato përmbajnë fjalë të paqarta që s’do plotësonin standardet e analizave shkencore: “e tepruar”, “qejf”, “në ankth”.

Sëmundjet mendore nuk kuptohen ashtu si kuptohen, le të themi, sëmundjet e mëlçisë, si një patologji e trupit, e indeve dhe qelizave të tij. Studiuesit kuptojnë vetëm strukturën themelore të shumë pak sëmundjeve mendore. Ajo që zakonisht quhet sëmundje nga psikiatrit, është thjesht një emërtim për një grup simptomash. Siç shkruan edhe psikiatri i njohur, Alen Fransis në librin e tij, “Saving Normal”, (Të shpëtosh njerëzit normalë), një fjalë si skizofrenia është një ide konceptuale e dobishme, jo sëmundje. “Është përshkrimi i një sërë problemesh të caktuara psikiatrike, jo shpjegim i asaj që e shkakton”. Për më tepër, fenomenet psikiatrike njihen për natyrën e tyre të paqëndrueshme. Ilaçet duket se japin rezultat, por pastaj nuk ka më përmirësim. Për shkak se mendja është një kozmos i çrregullt, psikiatria nuk ka arritur të bëjë progresin e dukshëm që është bërë tashmë normal në fizikë dhe biologji.

Siç shkruan Martin Seligman, ish-president i Shoqatës Amerikane të Psikologëve, në “Washington Post” në fillim të vitit, “…kam zbuluar se ilaçet dhe terapia japin shumë më pak ndihmë për të sëmurët mendorë sesa jepnin 25 vjet më parë, pavarësisht se tani fondet arrijnë në miliarda dollarë”. Kjo nuk bëhet për të ndëshkuar njerëzit që punojnë në fushën e problemeve shëndetësore mendore. Përkundrazi, ata janë heronjtë që lehtësojnë dhimbje nga më bishtnueset, edhe pse problemet me të cilat përballen ua kalojnë në kompleksitet dhe llojshmëri. Do doja ta përshkruanin veten për ata që janë. Psikiatrit nuk janë heronj të shkencës. Ata janë heronj të paqartësisë, që përdorin improvizime, njohuri dhe mjeshtëri për të përmirësuar jetët e njerëzve.

Fusha e psikiatrisë është më e mirë në praktikë sesa në teori. Psikiatrit më të mirë nuk janë thjesht teknikë, ashtu si qasja e udhëzuesit zyrtar; ata kombinojnë eksperiencën me njohuritë personale. Ata janë përshtatës të guximshëm, që përherë i përshtatin metodat në mënyrë më imagjinative se trajtimi shkencor. Psikiatrit më të mirë nuk po nxjerrin rregulla abstrakte që homogjenizojnë trajtimet. Ata kombinojnë njohurinë që kanë për modelet e zakonshme me një vëmendje të mprehtë të rrethanave specifike të një qenie njerëzore unike. Padyshim që ata nuk po shpikin sëmundje të reja për të trajtuar si probleme mjekësore sëmundjet e lehta të personave të shëndetshëm të shqetësuar. Nëse autorët e udhëzuesit psikiatrik duan të shpikin një sëmundje të re, ata duhet të shënojnë “Smirë Fizike” në manual.

Dëshira për të ngjasuar më shumë me shkencat e natyrore dhe shkencore ka shtrembëruar ekonominë, arsimin, shkencat politike, psikiatrinë dhe fusha të tjera të studimeve të sjelljes. I ka shtyrë doktorët të thonë se kanë më shumë njohuri nga sa mund të kenë.

Ka zhvlerësuar njëfarë mentaliteti hibrid që i përshtatet më shumë këtyre fushave, mentalitetin që një këmbë e ka në botën e shkencës dhe tjetrën në artet liberale, që përfshin sigurimin e disa pozitave të favorshme të sjelljes njerëzore. Dikur Hipokrati ka thënë se “është më e rëndësishme të dish cili person e ka sëmundjen, se të dish se ç’sëmundje ka një person”. Kjo është e vërtetë në shkencat që studiojnë sjelljen dhe zakonisht në hartimin e politikave, edhe pse në ditët e sotme është thjesht një e vërtetë e lënë pas dore.