Hero i tokës e i nëntokës

E publikuar: 02/01/2017 09:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Minatorët e “Trepçës”, ashtu siç lëkunden themelet e regjimit të Millosheviqit, me marshin e mbi 3000 minatorëve në nëntorin e vitit 1988 dhe me grevën e njohur të shkurtit dhe marsit të vitit 1989, iu përgjigjen edhe luftës për çlirim. “Trepça” ka heroin e vet, minatorin dëshmor të Drenicës, Muharrem Misimin nga Prekazi

Minatorët e “Trepçës”, ashtu siç lëkunden themelet e regjimit të Millosheviqit, fillimisht me marshin e tyre deri në Prishtinë në nëntorin e vitit 1998, e pastaj edhe me grevën e njohur të shkurtit të vitit 1989, u bënë bashkë edhe në luftën për çlirim. Horizontet e “Trepçës” dhe rrobat e punës së minatorit, shumë minatorë të Mitrovicës, Skenderajt, Vushtrrisë, por edhe të qendrave të tjera të Kosovës, i kishin zëvendësuar me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkruan gazeta “Zëri”.

Në Drenicë, një prej minatorëve më të vjetër të “Trepçës”, spërkati tokën me gjakun e tij, për lirinë e pasardhësve të vet, për lirinë e vendit të vet.

Ai u bë hero i tokë dhe i nëntokës, me të cilin mburret jo vetëm Drenica, por edhe Shala dhe Kosova. Rininë e tij e kishte lënë në zgafellet e “Trepçës”.

Për më shumë se 25 vjet ishte përballur me rreziqe të mëdha që vinin nga thellësia e tokës, e cila në vete ngërthente shumë të panjohura.

Kushtet e rënda të punës vetëm sa e kishin kalitur edhe më shumë, i kishin dhënë forcë dhe kurajo për të nxjerrë sa më shumë xehe në minierën e Stan Tërgut.

Muharrem Misimi nga Prekazi i Skenderajt nuk është i vetmi minator që kishte kapur pushkën në dorë për ta luftuar sunduesin shekullor, ka pasur edhe shumë të tjerë që iu kanë përgjigjur kushtrimit të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, por minatori i vjetër, Muharrem Misimi është i vetmi minator nga rajoni i Drenicës që pati fatin të përballet fyt-fyt me paramilitarë e policë serbë.

Natyrisht, i gjendur vetëm përballë tyre, në një prit të organizuar në një mal të Galicës, ai bie dëshmor.

Bashkëluftëtarët e tij kanë thënë se pranë trupit të tij të bërë blozë nga plumbat e armikut ishin gjetur shumë gëzhoja plumbash, të cilat Muharremi i kishte shkrepur në drejtim të ushtarëve e policëve serbë..