Heqja e taksës jep efektin e vet, 16 maune nga Serbia futen në Kosovë – asnjë nga Bosnja

E publikuar: 01/04/2020 15:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Taksa 100 për qind ndaj mallrave serbe me vendim të qeverisë në detyrë, është shfuqizuar nga sot.

Pas taksës, në fuqi do të hyjnë masat e reciprocitetit të propozuara nga qeveria, ashtu siç kishte paralajmëruar tanimë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, shkruan lajmi.net.

E veç sot, në territorin e Republikës së Kosovës kanë hyrë 16 maune me mallra të Serbisë.

Kjo është konfirmuar për lajmi.net edhe nga zëdhënësi i Doganave, Adriatik Stavileci i cili po ashtu ka thënë se ndryshe nga Serbia, nga Bosnja nuk ka hyrë asnjë kamion.

“Në procedurë doganore deri tani janë 16 maune me mallra me origjinë Serbe. Ndërsa nga Bosnja nuk kemi asnjë”, ka thënë Stavileci për lajmi.net.

Stavileci ka treguar edhe për veprimet që po ndërmerren në drejtim të zbatimit të masave të reciprocitetit, ashtu siç është propozuar në vendimin e qeverisë.

Ai tha se vendimi kërkon që për të gjitha certifikatat si fitosanitare, po ashtu edhe veterinare, që dokumentacioni shoqërues të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Duke u bazuar në vendimin e qeverisë për zbatmiin gradual të reciprocitetit si parim në marrëdhëniet me Serbinë, ky vendim kërkon që për të gjitha certifikatat si fitosanitare poashtu edhe veterinare si dhe dokumentacioni shoqërues te jenë në përputhje me Kushtetuten e Republikës së Kosovës”, ka thënë në fund Stavileci.

Vlen të theksohet se megjithë heqjen e taksës, Ambasada Amerikane ka dalë përsëri në kundërshtim të kryeministrit Kurti, duke cilësuar se masa të tilla veç sa sjellin problematika të reja karashi krijimit të një atmosfere për rinisjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.