Hellbach: Gjermania përkrah liberalizimin e vizave, por puna ende s’është kryer

E publikuar: 03/08/2019 23:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtori i deritanishëm për Evropën Juglindore të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Christian Hellbach, ka thënë se vendi i tij përkrah liberalizimin e vizave me Kosovën.

Mirëpo, ai, në një intervistë ekskluzive për “Kohën Ditore”, thotë se kjo çështje ende s’ka përfunduar dhe se ky është një vendim i ndjeshëm politik i shteteve anëtare të BE-së.

“Unë jam shumë optimist që do të përparojmë në çështjen e liberalizimit të vizave. Shumë pozitiv është fakti që Ministria e Brendshme gjermane dhe Ministria e Brendshme e Kosovës tani po bashkëpunojnë ngushtë për të sqaruar çështjet e hapura. Mirëpo të gjithë pjesëmarrësit duhet ta dinë se kjo çështje në fund është një vendim politik i ndjeshëm dhe i brendshëm i shteteve anëtare të BE-së. Dhe që duhet ‘vullnet politik’ për të marrë mbështetje”, ka thënë Ambasadori, ndërsa ka shtuar se “nëse mendojmë se është gjë e mirë, apo jo, kjo ndërlidhet me tema të tjera”.

Ai kritikoi edhe udhëheqësinë e Kosovës duke thënë se nëse “në Kosovë nuk do të ketë ndryshime thelbësore së shpejti, dhe kjo vlen edhe për shtetet e tjera të rajonit, atëherë qytetarët do të artikulojnë mendimet e tyre ndryshe, duke emigruar”.

“Evropa ka nevojë për fuqi punëtore, ne kemi bërë përvoja pozitive me qytetarë nga Ballkani Perëndimor – fundja pa emigrantët nga Shqipëria dhe Kosova në Gjermani do të kishte më pak restorante të mira italiane… Por nëse rajoni edhe më tej do të shfrytëzojë mundësinë për zhvillim dhe të arrijë nivelin e BE-së, ai nuk guxon të vuajë. Kjo është një përgjegjësi e madhe për politikanët dhe shoqërinë civile”, deklaroi ambasadori Hellbach.

Ai pati edhe një shprehje gjermane për zhvillimet në vend e rajon. “Nëse kam mësuar një gjë gjatë këtyre viteve, sa jam marrë me këtë rajon, ajo është që ndryshimet duhet të vijnë nga brenda. Ne mund të hapim perspektiva, të bëjmë oferta, të ofrojmë mbështetje konkrete. Por një shprehje gjermane thotë: Nuk mund ta çosh qenin në krah për gjueti. Ai duhet të vrapojë vetë”, përfundoi Christian Hellbach, drejtor i deritanishëm për Evropën Juglindore të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë.