Haziri viziton repartin infektiv, vlerëson lart punën e mantel-bardhëve

E publikuar: 06/08/2020 20:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka qëndruar sot në Repartin Infektiv të Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, ku ka parë nga afër punën që po bëhet në trajtimin e pacientëve të prekur me COVID-19.

Duke vlerësuar lart punën e mantel-bardhëve, Haziri ka thënë se gjendja është e rënduar në Spitalin e Përgjithshëm, por fal mjekëve e infermierëve dhe infermierëve, po përballohet.

“Aktualisht janë të hospitalizuar 58 pacientë, prej të cilëve 37 të konfirmuar me COVID-19 dhe 21 janë në pritje të testimit. Në CPAP janë tre pacientë, një është i intubuar dhe me oksigjeno-terapi janë 32 pacientë. Komuna dhe Anamorava është e varur nga efikasiteti i këtij spitali”, ka njoftuar Haziri, teksa ka kërkuar mbështetje më të madhe nga Qeveria me mjete pune.

Ndryshe, Haziri është i pari kryetar komune që viziton një repart ku janë të shtrirë pacientët me koronavirus.