Haziri thotë se votimi për Presidentin në prill mund ta çojë vendin në zgjedhje

E publikuar: 01/12/2015 17:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nënkryetari i LDK-së dhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri thotë se zgjedhjet nuk janë zgjidhje, madje sipas tij, as opozitës nuk i konvenojë ato aktualisht
Haziri thotë se sjelljet e opozitës janë për të shkaktuar kriza politike në vend, që janë për të shkaktuar situata të jashtëzakonshme, apo edhe zgjedhje të reja.

Në një intervistë për televizionin publik, Haziri tha se zgjedhjet nuk do t’i konvenonin opozitës duke parë përgjigjen e qytetarëve deri më tani, në raport me ato çfarë po ndodh.

“Qysh po sfidohet Ligji nga vet opozita, nuk do të thotë që nuk mund të sfidohet edhe Ligji për Zgjedhjet. Kosova nuk ka nevojë që të hyjë në një qorrsokak të tillë. Në prill duhet të përfundojë gjithçka rreth Presidentit të Republikës së Kosovës. Aty shihet se a do të ecë para Kosova apo do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, tha Haziri.

Ai vlerëson se duhet të pritet vendimi për Asociacionin e Komunave serbe i Gjykatës Kushtetuese, e jo t’i bëhet presion kësaj të fundit.

“Populli ynë po lodhet nga gjendja dhe anarkia e shkaktuar nga politikanët”, tha Haziri.