Haziri thotë se LDK-ja përkrah Thaçin për të udhëhequr dialogun (Video)

E publikuar: 05/07/2018 23:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se ai është parimisht pro që presidenti Hashim Thaçi të udhëheqë palën e Kosovës në bisedimet me Serbinë.

“LDK-ja nuk lejon precedent që institucioneve të shtetit dhe bartësve të shtetit t’u bëjë përfaqësim në hije. Nëse është president, është president dhe i ka detyrat e tij kushtetuese. Ka zëra në Kosovë që thonë se procesi është i mirë, ne mund të shkojmë, por ky president nuk mund të shkojë. Çka nëse nesër e kemi një president tjetër, të LDK-së dhe ai e përfaqëson Kosovën në OKB e del opozita të thotë se nuk bën. Nuk bën të luhet me institucione. Nuk bën të lejojmë të bëhemi precedentë në zëvendësime e delegime. Vetëm nëse Kuvendi e ndërton dhe e lejon një strukturë dialoguese… Në parim s’jemi kundër. Kemi deputetë që kundërshtojnë, shumica e tyre ndoshta janë, por problemi është që kur të vendosë kryesia e LDK-së përfundimisht kemi për ta ruajtur unitetin tonë. Do të reagojmë bashkë e njëjtë”, ka thënë ai në Rubikon të KTV-së.


Haziri: Datë për liberalizim nuk ka, qytetarët duhet ta dinë këtë 

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë se raporti për liberalizimin e vizave edhe kësaj here do të jetë pozitiv mirëpo nuk garanton datë për marrjen e liberalizimit.

Ai ka thënë se politikanët e vendit po e dëmtojnë këtë proces duke dhënë data të rrejshme për këtë proces.

“Është shumë e vështirë me mendu që mund të merret data para zgjedhjeve të BE-së”, ka thënë ai.

“Çdo ditë këta politikanë janë duke e gjuajt me plumb në këmbë këtë vend”, ka thënë Haziri.


Haziri: PDK po dikton çdo gjë

21:29 – Sipas nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, Partia Demokratike nuk është e interesuar të ndihmojë shtetin.

Ai ka thënë se edhe tash mund ta rrëzojnë kryeministrin, Ramush Haradinaj.

“Nuk ka asnjë shenjë politike që PDK-ja ta marrë me seriozitet agjendën politike që qeveria e ka plasu”, ka thënë Haziri.

Ai e konsideron gabim të kryeministrit, Ramush Haradinaj dorëheqjen nga dialogu.

“Ja kanë lënë presidentit politikat e mëdha ndërsa kryeministrit punët e shtëpisë”, ka thënë ai.

“Tri partitë i ki në rivalitet të hapur, çdo ditë i ki në tubime partiake. Në tavolinën e parë kemi thënë, urdhëroni, i listojmë të gjitha, dialogun, FSK-në, ndryshimi ligjit për zgjedhje, çka do që është në interes…”, shtoi tutje ai.


Haziri u çon porosi strukturave brenda LDK-së 

21:09 – Ndonëse mohon të ketë grupe të ndara brenda partisë, Lutfi Haziri në një intervistë për Rubikon të KTV-së nënvizoi se kushdo brenda Lidhjes Demokratike duhet ta ketë një gjë të qartë.

“Respektimin e vlerave të partisë”, theksoi ai duke ju referuar edhe hierarkisë së partisë.

Kjo ngase kohën e fundit kishte disa deklarata kundërshtuese mes strukturave të partisë.

“Duhet me kuptu të gjithë ata që janë brenda, që LDK e ka një rregull që nuk mundet me thy kërkush, duhet respektuar vlerat e saj. Nuk mund me ardhë edhe me sjellë në LDK politikë tensioni, konflikti, të interesave të caktuara. Definitivisht ka tendenca të tilla, ka pasë gjithmonë. Në LDK mundesh me hy edhe kah oxhaku por na nuk e kthejmë kah oxhaku por ja hapim derën. Mënyra se si hyn në politikë e përcakton mënyrën e daljes në politikë”, ka thënë Haziri.

“Tendencat e tilla duhet lënë anash”, theksoi ai.