Haziri: Serbia po dëshiron t’i sakatojë kufijtë e Kosovës

E publikuar: 08/03/2019 23:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri vazhdon t’i qëndrojë prapa idesë së tij të dhënë vite më parë, që Presheva, Bujanoci dhe Medvegja t’i bashkohen Kosovës, por shton se në asnjë mënyrë nuk pranon që shkëmbimi i territoreve të jetë zgjidhje.

“Në asnjë mënyrë unë nuk pranoj që shkëmbimi i territoreve është zgjidhje. Por, marrja e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në parimin e kufijve komunalë dhe parimin që Kosova disa fshatra të Leposaviqit dhe të Zubin Potokut t’ia kthejë Serbisë është zgjidhja më e drejtë që mund të realizohet”.

Ai madje ka treguar se Serbia po synon që ndarjen e Kosovës ta bëjë nëpërmes lumenjve e jo në vargmale.

“Në të dy rrethanat Serbia po lufton që ta faktojë aspiratën e tyre që kufiri i tyre të jetë në lumenj e jo në vargmale apo në Moravë të Preshevës ajo që quhet ‘Valley’ ose Lugina që po quhet sot, sepse është term më i madh gjeografik sesa Lugina. Pjesa e Medvegjës për shembull është në kufij me pjesën e Prishtinës dhe pjesërisht Kamenicës dhe të Llapit. Janë vargmalet e Gollakut. Është terriotrialisht e ndarë prej Bujanocit, por nëse arrijmë ta faktojmë në parime që eventualisht rregullohen nesër kufijtë, këto parime janë të pandryshueshme atëherë mund të vije një zgjidhje racionale dhe e pranueshme për të dy palët. Në të kundërtën, aspirata me zbrit në Lumin Ibër dhe në Moravë të Gjilanit, si tendencë të cilën Serbia sot e ka, është e pa papranueshme dhe e ‘sakaton’ Republikën e Kosovës në funksionin e saj, në thelbin e saj”, ka shtuar Haziri në ‘BlicInterview’.