Haziri: Pacolli po bën ‘sallta’

E publikuar: 30/11/2017 23:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, është duke bërë “sallta” në politikë.

Kryetari i Gjilanit e lidhi këtë deklaratë në Interaktiv të KTV-së pas koalicioneve të ndryshme të AKR-së në pak muaj në skenën politike.

Kjo parti kishte hyrë në Kuvend në koalicion me LDK-në, ndërsa më pas arriti marrëveshje me PDK-në, AAK-në e Nismën për qeverisje. Në zgjedhjet lokale ajo hyri në koalicion me Vetëvendosjen për fitoren në Prishtinë ndaj LDK-së.

“Kemi dalë si partia e parë në vend. Kemi marrë rezultate pozitive në shumë komuna. Rikthimi i madh i Vushtrrisë e kthesë të madhe në Prishtinë përkundër koalicionit VV-AKR. Kjo është ‘sallta’ e dytë e Pacollit në pak muaj”, ka thënë ai.

Sipas Hazirit, qeveria Haradinaj është prapa manipulimit të votave me kusht dhe me postë në balotazhin e Istogut që e përmbysën rezultatin e raundit të parë duke i dhënë fitoren Gani Dreshajt të AAK-së ndaj Haki Rugovës të LDK-së. Në këtë komunë nga PZAP është vendosur të ketë rivotim.

“Votat me postë edhe me kusht janë të korruptuara, të njollosura e të manipuluara shumë keq. Prapa kësaj është qeveria Haradinaj, duke e pas parasysh afërsinë që kanë me kandidatin e Istogut”, ka shtuar Haziri.