Haziri: Me mbështetjen për bizneset e vogla, Komisioni Europian është promotor i punësimit në Gjilan

E publikuar: 23/02/2016 19:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Është inauguruar sot në Livoq të Gjilanit projekti për përkrahjen e ndërmarrjeve të vogla, i financuar nga Komisioni Europian dhe Ministria e Tregëtisë dhe Industrisë, ku kompania “Tekom” ka përfituar një grant tejet të rëndësishëm për funksionimin e saj.
“Është një shembull se sa të suksesshëm mund të jenë grantet e vogla për bizneset, jo vetëm duke e rritur produktivitetin, por edhe kapacitetin e eksportit dhe punësimin. Zingjiri i produkteve është zgjeruar si rrejdhojë e këtij projekti, sikurse që është automatizuar prodhimi dhe është bërë me efikas. I uroj shumë suksese kësaj kompanie”, tha me këtë rast shefi i operimeve të Zyrës së BE-së në Kosovë, Christof Stock.
Kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka falënderuar Komisionin Europian për mbështetjen që po u jep bizneseve, duke nënvizuar se KE është bërë njëri nga promotorët e punësimit në Gjilan.
“E falënderoj për mbështetjen Zyrën e BE-së, ku përfitues është një nga bizneset e suksesshme në Gjilan. Gjilani ka nevojë për më shumë vende të punës dhe njëri nga promotorët e këtyre vendeve të punës është Komisioni Europian në mbështetje të sektorit privat. Uroj që edhe organizatat tjera dhe qeveria e Kosovës ta përcjellin shembullin e mbështetjes së KE-së. Gjilani po shkon drejt krijimit të mundësive, hapësirës dhe infrastrukturës dhe kushteve më të mira për zhvillim të biznesit”, ka deklaruar kryetari Haziri.
Nga ana e tij, pronari i kompanisë “Tekom”, Bekuda, ka falënderuar KE-në dhe MTI-në për mbështetjen, duke shpresuar se me këto pajisje të reja do ta rris kapacitetin dhe cilësinë e prodhimit, me prezencë në tregun regjional. Ai tha se pas këtij granti e ka rritur numrin e punëtorëve për 10 më shumë se që ka pasur më herët.