Haziri – Haradinajt: Fajtorin për mosliberalizim kërkoje brenda qeverisë, jo në LDK

E publikuar: 20/05/2018 10:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri u është përgjigjur akuzave të kryeministrit Ramush Haradinaj i cili ka thënë se LDK-ja po punon kundër liberalizimit të vizave.

“Ne kemi nënvizuar këtë qëllim dhe fakti që LDK ka votuar për largimin e kushtit të fundit politik – Demarkacionin me Malin e Zi, tregon çfarë ne kemi bërë dhe ne jemi ata që po e sjellim liberalizimin e vizave”, ka shkruar Haziri.

Haziri i ka thënë kryeministrit se pengesat për këto procese i ka brenda Qeverisë.

“Zotni kryeministër, pengesat i ke brenda qeverisë dhe partner e tuaj qeverisës. Aty kërkoje fajtorin e agjendën shtetformuese dhe integrimet euroatlantike. LDK është partner pa të cilin nuk bëhet ky proces i suksesshëm”, ka shtuar Harizi si përgjigje ndaj deklaratave të kryeministrit Haradinaj.

Kryeministri mbrëmë ka adresuar kritika ndaj LDK-së rreth procesit të liberalizimit të vizave.

“Mirë është me u fokusu, me i ndihmu qeverinë në këtë rast për liberalizim të vizave. Mirë është nga LDK-ja mos me gabu me ndonjë porosi që e çojnë te Partitë Popullore a diku. Mos me çu porosi të gabuara që mos me na u aprovu liberalizimi i vizave. Nuk është mirë me dhënë skepticizëm që p.sh: nëse ndodh liberalizimi kish me pasë refugjatë. Nuk është kështu, nuk do të ketë refugjatë”, ka thënë mbrëmë kryeministri Haradinaj në emisionin ‘Debat’ në RTK.

Gjithashtu, kryeministri ka thënë se LDK-ja është në garë për kryetar të partisë dhe po mundohet të gjejë sa më shumë armiq.

“Në LDK është hapë një garë për kryetar të LDK’së dhe tani ata po mundohen me gjet armiq me gjet tema”, tha Haradinaj.

“Nganjëherë e kam përshtypjen që pas takimeve me zyrtar të PPE-së nuk janë nda të bindur që e meritojmë liberalizimin. E kam një frikë që një pjesë e opozitës është kah bon kundër liberalizimit të vizave. Nuk është mirë. Pikërisht mendoj te LDK-ja. I lus mos të bëjnë kësi gabimesh’, ka theksuar shefi i ekzekutivit.

Kësaj i është përgjigjur Haziri, duke thënë se kjo është diçka krejt tjetër.

“E, zgjedhjet e brendshme të LDK janë të ndara nga këto zhvillime sepse mbahen në maj 2019. Ne jemi të angazhuar për stabilitet politik e institucional duke ndihmuar edhe në dialogun e brendshëm politik, agjendën euroatlantike të Kosovës e liberalizimin e vizave, por në temat tjera duhet të dakordohemi në tryezën e partive”, ka shkruar tutje Haziri./Insajderi.com