Haziri flet si Shef i LDK’së, thotë se shpejt rrëzohet Qeveria

E publikuar: 08/06/2019 13:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lidhja Demokratike e Kosovës është e përkushtuar që të ndërtojë një front opozitar të qëndrueshëm, që do të rezultojë me rrëzimin e koalicionit PAN.

Nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri, thotë se tashmë kanë riaktivizuar mekanizmat e brendshëm politik për mocionin e votëbesimit. Ndonëse, thotë se favorizojnë zgjedhjet e hershme, sipas marrëveshjes, hasja në vesh të shurdhër, sipas tij, i ka bërë që të inicojnë mocionin.

Duke folur për KosovaPress, Haziri vlerëson se në Kosovë po krijohet një momentum i ri, i cili do të shkaktojë zgjedhje të hershme.Ndonëse favorizon zgjedhjet e hershme sipas një marrëveshje mes të gjitha subjekteve politike, ai thotë se kjo ide ka hasur në vesh të shurdhër.

Teksa flet për mocionin, Haziri komenton edhe veprimet e PSD-së, për të cilën vlerëson se ka qenë gjithmonë mes pushtetit dhe opozitës, por shprehet optimist se edhe këta të fundit do të bashkëpunojnë për rrëzimin e Qeverisë.

Ai është i bindur se raporti i Qeverisë dhe qytetarëve po merr pikën e vlimit.

Njëherësh, ai flet edhe për dialogun Kosovë – Serbi.

Prej Samitit të Sofjes, Haziri thotë se Kosova po e humbë momentumin për t’i zgjidhur problemet kapitale me Serbinë, dhe ato të ndërtimit të relacioneve të qëndrueshme afatgjate me partnerët strategjik si BE-në dhe NATO-n.

Sa i përket Samitit të Parisit, nënkryetari i LDK-së thotë se për pozicionin e Kosovës, ky takim do jetë më i vështirë.