Haziri: Fetije Ramadani e edukoi Agimin në frymën kombëtare

E publikuar: 12/09/2016 18:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes së heroit të kombit Agim Ramadani, me rastin e ndarjes nga jeta të nënës së tij, Fetije Ramadani. Në telegram thuhet:

“E nderuara familja Ramadani,
Më pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të zonjës Fetije, nënës së kolosit të kombit, Agim Ramadani.

Zonja Fetije Ramadani është simbol i qëndresës së një nëne te hekurt dhe të pathyeshme karshi padrejtësive shekullore.
Ajo e rriti dhe edukoi heroin Agim Ramadani në frymën kombëtare, i cili me pushkën e tij e shkuli gurin ndarës të shqiptarëve.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes Ramadani dhe të gjithë popullit shqiptar. Zoti ua lehtësoftë dhembjen. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të!”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të kryetarit Haziri dërguar familjes Ramadani.