Haziri bën homazhe para bustit të Esat Berishës në 73 –vjetorin e ekzekutimit pa gjyq

E publikuar: 18/12/2017 15:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Me rastin e 73 vjetorit të vrasjes pa gjyq të dëshmorit të kombit, Esat Berisha, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij dhe familjar të dëshmorit, kanë bërë homazhe para bustit të tij.

“Jam sot këtu para bustit të dëshmorit Esat Berisha, në nderim dhe përkujtim të veprës së madhe të kësaj figure të madhe të Gjilanit. Esat Berisha është i arrestuar me datën 17 dhjetor 1944 dhe i ekzekutuar pa asnjë procedurë gjyqësore një ditë më vonë ,me datën 18 dhjetor 1944. Arrestimi i tij dhe ekzekutimi janë bërë për të vetmen arsye që kishte okupuesi serb gjithë kohën. Ishte arsyeja sepse ishin shqiptarë dhe kishin kauzë të qartë për liri dhe pavarësi. Kishin ideal kjo familje për çështjen kombëtare dhe një vend të lirë”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri.

Ai ka falënderuar familjen Berisha, të gjitha familjet e dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve të luftës për kontributin e madh në shërbim të atdheut.

“Këto familje të mëdha që dhanë më të dashurit e tyre për lirinë e këtij vendi dhe për garantimin e jetës për breza të tërë që vijnë pas. Janë këto familje dhe shumë të rënë, dëshmorë, heronjë, invalid e të burgosur politik dhe shumë kategori që kanë dhënë gjithçka që kishin për një Kosovë të lirë dhe të pavarur”, ka potencuar Haziri./Infosot/