Haxhiu kërkon anëtarësimin e Kosovës në Konferencën e Hagës

E publikuar: 14/02/2020 16:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu gjatë të premtes iu drejtua me një letër kërkesë Sekretarit Permanent të Konferencës së Hagës, Christophe Bernasconi.

Nga Ministria e Drejtësisë kanë bërë të ditur se përmes kësaj letre, është kërkuar që të shqyrtohet mundësia e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në këtë institucion tejet të rëndësishëm.
“Përmes këtij anëtarësimi, por bazuar edhe në përvojën në anëtarësimet në konventat e këtilla, Ministria e Drejtësisë është e bindur se një gjë e tillë, do të mundësonte zbatimin e unifikuar të konventave ndërkombëtare në çështjet e së drejtës ndërkombëtare private, si dhe do të lehtësonte qasjen në platforma dhe instrumente multilaterale që kanë të bëjnë me këtë fushë”, thuhet në komunikatën e dërguar nga Ministria.

Sipas këtij njoftimi për shkak të mos anëtarësimit në Konferencën e Hagës, është vështirësuar zbatimi i së drejtës në çështjet që lidhen me rrëmbimin ndërkombëtar të fëmijëve, në aspektin civil, si dhe në konteste familjare dhe trashëgimore për qytetarët e Republikës së Kosovës, transmeton Telegrafi.

Në fund të njoftimin Ministria e Drejtësisë zotohet se do të punojnë me përkushtim në integrimin e Republikës së Kosovës organizata rajonale dhe ndërkombëtare me qëllim të lehtësimit në realizimin e të drejtave të qytetarëve të saj.