Haxhiu: Demarkacioni s’kalon, me veprimet tona po mbrojmë territorin

E publikuar: 21/03/2018 12:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu ka folur pasi partia e saj ndërpreu seancën e Kuvendit në momentin që pritej votimi i marrëveshjes së Demarkacionit.

“Ju e dini që dje ka pasur debate jashtëzakonisht përmbajtësore në Kuvendin e Kosovës, ku deputetët e VV i kanë bërë thirrje qeverisë që të tërhiqet nga marrëveshja aktuale me Demarkacionin që i falë hektarë Malit të Zi”, tha Haxhiu me këtë rast.

Sipas saj, gazi lotsjellës nënkupton mbrojtjen e territorit të Kosovës.

“Ne besojmë që është tepër e rëndësishme të dalim në mbrojte të territorit, me veprimin tonë në kuvend ne i shpëtuam edhe këta deputetë nga akti i tradhtisë që po duan të ja bëjnë vendit tonë”, tha Haxhiu duke folur në hollin e Kuvendit, përcjell KosovaPress.

Haxhiu tutje tha se me Qeveria me presione të ndryshme ka arritur që t’i bëjë numrat për votimin e Demarkacionit.

Ajo nuk pranoi që të përmend emrat e kolegëve që hodhën gazin.

“Unë nuk di se kush ka hedhur gaz lotsjellës, unë mund të them se demarkacioni nuk kalon”, tha Haxhiu, duke shtuar se ata janë të gatshëm që të përballen me pasojat./koha.net/