Haxhiu: Apeli mos ta legjitimojë procesin e noterisë

E publikuar: 27/06/2020 13:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-ministrja e Drejtësisë në Qeverinë Hoti, Albulena Haxhiu, thotë se anulimi i procesit të noterisë në mandatin e saj, nuk ishte bërë për inat të askujt, kësisoj, kërkon nga Gjykata e Apelit që mos ta legjitimojë këtë proces.

Haxhiu thotë se Gjykata e Apelit ka kërkuar ndryshimin e gjyqtarit në departamentin administrativ dhe e ka kthyer në rivendosje procesin, për shkak se siç thotë ajo, “nuk i pëlqen vendimi i shkallës së parë”.

Ajo thotë se procesi i noterisë padyshim që ka qenë ndër proceset më të komprometuara në vend.

“Aq shumë ndërhyrje janë bërë, saqë doli sheshit paligjshmëria dhe mungesa e meritokracisë, nuk mundën ta fshehin siç kanë bërë me procese të shumta. Kur kam pranuar detyrën e Ministres së Drejtësisë, të njëjtin proces e kisha anuluar por pavarësisht kësaj e kam ditur që ata që kanë ndërhyrë në atë proces nuk do të lënë gurë pa lëvizur vetëm e vetëm që ta mbrojnë këtë proces të paligjshëm dhe interesat e tyre”, shkruan Haxhiu.

Thotë se Departamenti administrativ brenda Gjykatës Themelore, dy herë radhazi me të drejtë kishte refuzuar masën e përkohshme nga paditësi por Gjykata e Apelit sërish e ka kthyer në rivendosje, por po ashtu ka kërkuar ndryshim të gjyqtarit në departamentin administrativ.

“Rrallë e dëgjuar! Pra, Gjykata e Apelit ka kërkuar ndryshim gjyqtari sepse nuk i pëlqen vendimi i shkallës së parë dhe derisa të vjen një gjyqtar i cili nxjerrë vendim që i pëlqen kësaj gjykate ose dikujt jashtë saj, duket se njësoj do të veprojnë! Ndërhyrjet në këtë kontest nuk duhet t’i pranojë askush. Anulimi i procesit të noterisë nuk është bërë për inat të askujt por për të mbrojtur profesionin e Noterisë. Gjykata nuk duhet ta legjitimojë të njëjtin!”, shkroi Haxhiu në Facebook./FO/