Hashim Thaçi fillon konsultimet për Presidencë?

E publikuar: 02/04/2015 14:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lideri i PDK’së, Hashim Thaçi, ka filluar konsultimet për të kaluar në institucionin e Presidencës, si kreu i shtetit.

Burime nga kabineti i tij, konfirmojnë për KosovaPress se lideri i PDK’së tashmë ka filluar konsultat për Presidencë me strukturat e larta të partisë, ekipin e vet dhe këshilltarët e tjerë të jashtëm. Përmes një fushate që Thaçi do të nis së shpejti, planifikohet të krijohen kushtet për votimin e tij për President në Kuvendin e Kosovës në fillim të vitit të ardhshëm.

“Duke marrë parasysh se marrëveshja e koalicionit me LDK’në parasheh zgjedhjen e Thaçit president, por e njëjta marrëveshje ka rezistencë nga disa deputetë të LDK’së, pritet që Thaçi t’i fillojë konsultimet për kreun e shtetit edhe me faktorët e tjerë politik në vend”, konfirmon ky burim i afërm me liderin e PDK’së.

Burimet e KosovaPress tregojnë se Thaçi po përgatitet për dy opsionet e mundshme, si për zgjedhjet e drejtpërdrejta nga populli në rast të ndryshimit të Kushtetutës, ashtu edhe për zgjedhjen e tij nëpërmjet Kuvendit të Kosovës, nëse partneri i tij i koalicionit e siguron votëbesimin edhe të deputetëve që deri më tash e kanë kundërshtuar marrëveshjen politike ndërmjet PDK’së dhe LDK’së.