Hasani: Mund të vendosim barriera për importet nga Shqipëria

E publikuar: 21/04/2018 09:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Tregtisë dhe i Industrisë, Bajram Hasani, gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka deklaruar se autoritetet e Shqipërisë u bëjnë barriera të panevojshme disa bizneseve kosovare, shqetësim të cilin e kanë shprehur disa herë edhe zyrtarisht. Sipas tij, nëse nuk ndërmerren masa në këtë drejtim, atëherë pala kosovare mund të vendosë barriera tregtare tek importet e Shqipërisë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Disa produkte kosovare hasin në pengesa të panevojshme gjatë eksportit në Shqipëri. Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ministri i Tregtisë dhe i Industrisë, Bajram Hasani, duke shtuar se këto shqetësime i kanë ngritur tek autoritet në Tiranë, por ende nuk kanë marrë kurrfarë përgjigje.

“Ndoshta nuk po i marrin seriozisht shqetësimet tona. Autoritetet në Tiranë duhet të reflektojnë, në të kundërtën do të detyrohemi ta zbatojmë ligjin ndaj produkteve të tyre. Kemi disa produkte nga Shqipëria që hyjnë me çmim më të lirë sesa mund të prodhohen në tregun tonë dhe kjo po i dëmton prodhuesit kosovarë”, ka pohuar Hasani.

Ai ka paralajmëruar se nëse tregu i Shqipërisë nuk hapet për prodhimet kosovare, atëherë jemi të detyruar të vendosim barriera, pasi që, siç thotë ai, duhet t’i mbrojmë prodhuesit vendorë.

Gjatë kësaj interviste për “Zërin” Hasani ka folur edhe për numrin e madh të pikave të shitjes së karburanteve të palicencuara, për importin e madh të vajit të palmës për të cilin ka pretendime se është kancerogjen dhe për mishin me afat të skaduar që shitet në treg.