Hasani: Ky ekip negociator s’mund të nënshkruaj kurrfarë marrëveshje me Serbinë, s’i lejon Kushtetuta

E publikuar: 25/12/2018 15:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, thotë se ekipi negociator që është caktuar për bisedimet me Serbinë, i përbërë nga Hashim Thaçi, Shpend Ahmeti e Fatmir Limaj, nuk mund të nënshkruaj asnjë marrëveshje Kosovë-Serbi, pasi sipas tij ata nuk e kanë marrë bekimin e shumicës absolute të Kuvendit për të bërë diçka të tillë. Hasani thotë se nëse nënshkruhet ndonjë marrëveshje me Serbinë nga ky grup uniteti, atëherë diçka e tillë do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Profesor Hasani, dialogu i Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë tash për tash duket se ka ngecur. A prisni rifillimin e këtij dialogu, për të cilin thuhet se do të jetë në fazën përfundimtare dhe a ka shenja se kur mund të fillojë?

Enver Hasani: Unë nuk e kam të qartë se kur mund të rifillojë, meqenëse ajo varet kryesisht nga dinamikat e brendshme në Kosovë, por edhe në Serbi, të cilat, veçanërisht në Kosovë, shihet që kanë marrë një kahe, që nuk është bash e kënaqshme, meqenëse shihet qartë se nuk ka një pajtim as të përafërt të konsensusit mes forcave politike, sa i përket formës dhe përmbajtjes së dialogut.

Radio Evropa e Lirë: A prisni që të ketë një përafrim qëndrimesh të spektrit politik?

Enver Hasani: Unë nuk pres, meqenëse çështja kryesore që është nisur, është nisur gabim dhe është futur copëtimi i Kosovës si variant, i ashtuquajtur i dhimbshëm, përkatësisht si levë ndikimi ndaj Serbisë për të fituar disa koncesione sa i përket shtetësisë së Kosovës. Ky fakt ka bërë që partitë që përfaqësojnë pjesën dërmuese të popullsisë së Kosovës, të kenë rezerva serioze. Kjo do të thotë është nisur mbrapsht, sa i përket mënyrës dhe përmbajtjes të konsensusit që pritet të arrihet dhe kjo ka shkaktuar frikë edhe te forcat kryesore politike, por edhe te qytetarët e zakonshëm.