Hasani: Kurti duhet të merret edhe me zyrtarët serbë që marrin paga, pa shkuar asnjë ditë në punë

E publikuar: 19/02/2020 19:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka thënë se kryeministri Albin Kurti, do të duhej të merrej edhe me zyrtarët serbë që marrin paga nga buxheti i shtetit e që nuk shkojnë asnjë ditë në punë.

Sipas Hasanit, janë mbi 200 zyrtarë serbë të angazhuar nëpër ministri, të cilët nuk kanë shkuar asnjë ditë në punë, e megjithatë paguhen nga buxheti i shtetit.
“Mbi 200 zyrtarë serbë marrin paga nga buxheti i Kosovës pa shkuar asnjë ditë në punë. Këta zyrtarë janë të angazhuar në të gjitha ministritë e qeverisë së Republikës së Kosovës. Kryeministri Albin Kurti duhet të merret edhe me këta zyrtarë që i kushtojnë shumë buxhetit të Kosovës”, shkruan Hasani në Facebook.

Hasani po ashtu ka propozuar që qeveria të hulumtojë për këta zyrtarë, të mësoj arsyet pse ata nuk shkojnë në punë ose t’i bindë që të vijojnë punën me rregull.

“Qeveria duhet të shohë pse këta zyrtarë nuk shkojnë në punë, ose t’i bind që të vijojnë punën rregullisht ose të shkarkohen”, shkruan Hasani.
Këto komente, ai i bëri pas vendimeve të marra nga Qeveria Kurti sot gjatë mbledhjes së rregullt, ku ndër të tjera u mor vendim për shkarkimin e drejtorëve të bordit të ndërmarrjes publike, “Telekomi i Kosovës”, dhe ka miratuar edhe vendimin për krijimin e listës së tepricës me sekretarët e përgjithshëm të ministrive që preken nga riorganizimi i Qeverisë së Kosovës.