Harta, ja vendet ku ka filluar të ofrohet teknologjia 5G

E publikuar: 23/05/2019 17:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas disa vitesh përgatitje, 5G më në fund po lançohet në qytete të ndryshme të botës. E njohur si gjenerata e pesë e teknologjisë wireless, 5G-ja është gjëja më me rëndësi që do të vijë pas një dekade 4G LTE duke ofruar shpejtësi teorike deri në 5 herë më të shpejta.

Jo të gjithë do të kenë akses menjëherë në këtë teknologji sepse varet jo vetëm nga autoritetet rregullator të vendeve të ndryshme por edhe operatorët.

Ookla, kompania pas aplikacionit shumë të njohur të testimit të shpejtësisë së internetit Speedtest.net, ka lançuar së fundi një hartë e cila tregon vende ku 5G-ja ka filluar të ofrohet.

Ookla 5G Map gjurmon lançimet e rrjeteve 5G në mbarë globin dhe harta përditësohet mbi baza javore. Statusi i rrjeteve të treguara ndahet në dy: kufizuar dhe komercialisht i disponueshëm.

I kufizuar është status i cili tregon se rrjeti 5G është i disponueshëm por vetëm për një numër të kufizuar përdoruesish. Disponueshmëria komerciale do të thotë se çdo konsumator që ka një pajisje 5G mund të aksesojë rrjetin.

Aktualisht në mbarë botën janë identifikuar 20 operatorë që kanë lançuar rrjete 5G në 303 vendndodhje në mbarë botën. Operatorët Zviceranë Swisscom dhe Sunrise udhëhqin duke ofruar 5G në 217 qytete komercialisht.

Në SHBA vetëm 21 qytete përfitojnë nga teknologjia e re celulare. Në Korenë e Jugut 16 qytete kanë akses të kufizuar në 5G dhe 2 kanë akses komercial. Në Australi operatorët Telstra dhe Optus operojnë rrjet të kufizuara 5G në 10 qytete. Harta tregon se edhe vendet si Estonia, Finlanda, Spanja, Italia, Katari, Afrika e Jugut dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë lançuar rrjetet e para 5G.

Hartën e Ookla për rrjetet 5G mund ta aksesoni në këtë lidhje dhe më pas të navigoni në pikat ku tregohet ekzistenca e një rrjeti 5G për informacione më të detajuara. /PCWorld Albanian